Drejtori i Doganave pret ekipin e Bankës Botërore për projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, priti sot në një takim ekipin e Bankës Botërore, në kuadër të misionit përgatitor të projektit “Western Balkans Trade and Transport Facilitation Project (TTFP) 2.0”, një nismë rajonale që synon përmirësimin e lehtësimit të tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të takimit ishte modernizimi i shërbimeve doganore dhe përmirësimi i menaxhimit kufitar, me synimin për të përputhur praktikat doganore shqiptare me standardet më të mira ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Europian. Drejtori Beja vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Bankën Botërore dhe theksoi rëndësinë e fazës së dytë të projektit për avancimin e reformave në Administratën Doganore Shqiptare.

Gjatë diskutimeve, palët u ndalën në rezultatet e arritura deri më tani, si dhe në hapat e ardhshëm që do të ndërmerren në kuadër të projektit të Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit, TTFP 2.0 dhe programeve të lidhura me të. Gjithashtu u diskutuan investimet prioritare që pritet të realizohen, përmirësimi i sistemeve dhe proceseve të Administratës Doganore, ngritja e kapaciteteve për kontrolle më të shpejta dhe efikase kufitare, rritja e shkëmbimit të të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe modernizimi i infrastrukturës dhe teknologjisë në dispozicion të doganave. 

Projekti “Western Balkans Trade and Transport Facilitation Project 2.0” është një program rajonal i mbështetur nga Banka Botërore, i cili synon të përmirësojë transportin  dhe të lehtësojë lëvizjen e mallrave. Faza e dytë e këtij programi ndërtohet mbi arritjet e fazës së parë dhe ka si objektiv thellimin e reformave për harmonizimin e procedurave doganore, reduktimin e kohës dhe kostove në kufi, si dhe përmirësimin e transparencës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.