Shembja në Korridorin 8: Mungesë studimi apo fatkeqësi natyrore? Si u bë studimi gjeologjik i terrenit nga “INFRAKONSULT”?
Rrëshqitjet masive të tokës në aksin Librazhd-Pogradec, pjesë e projektit strategjik të Korridorit VIII, kanë bllokuar qarkullimin dhe kanë rikthyer në debatin publik pyetjen thelbësore: a janë këto shembje thjesht fatkeqësi natyrore, apo pasojë e mungesës së studimeve të thelluara shkencore?
Mungesa e Studimit Gjeologjik

Inxhinieri Xhevair Ngjeqari, në një dalje të fundit për mediat, argumentoi se problemi themelor qëndron te neglizhenca në fazën studimore dhe të kontrollit të projekteve. Sipas tij, shumë projekte që tenderohen bëhen formalisht, pa u bazuar në një studim të plotë gjeologjik.
“Fenomene të tilla kanë ndodhur dhe do të ndodhin, por zona specifike, Gurët e Murrizit, është e njohur historikisht për probleme me rrëshqitje,” thekson Ngjeqari. “Nëse projektet tona do të kalonin nëpër tri faza teknike kontrolli, siç bëhej më parë, kjo çarje e rrugës dhe shembja e urës nuk do të kishin ndodhur. Një pjesë e madhe e këtyre ngjarjeve nuk janë fatkeqësi natyrore, por rezultat i mungesës së kontrollit të projekteve.”
Kontrata në letër, realiteti në terren

Gjashtë vite më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar kontraktoi kompaninë konsulente “INFRAKONSULT”, me Administrator shtetasin Redi Struga për të realizuar një studim të detajuar të zonës, duke përfshirë analizën e kushteve të tokës dhe ato hidrologjike.

Qëllimi ishte gjetja e alternativës më të sigurt me ndikimin më minimal.

Megjithatë, pretendimet nga burime në terren theksojnë se ky studim mund të ketë mbetur vetëm në letër. Sipas tyre, në zonën e projektit nuk është kryer asnjë shpim gjeologjik nga kompanitë përgjegjëse.
Nisur nga kjo, mendohet se shembja u shkaktua nga mbingarkesa e krijuar prej rrugës së re, e ndërtuar pa kritere teknike dhe pa një studim paraprak të qëndrueshmërisë së terrenit.
Lidhur me këto supozime Prokuroria e Elbasanit nisi dy ditë më parë “hetim kryesisht” ndaj kompanisë që po punon për zgjerimin e Korridorit të VIII në zonën e Dragostunjës ku ka ndodhur rrëshqitja masive e tokës në aksin Përrenjas-Librazhd.

Shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tendera, ankande publike, shkatërrim i rrugës, ndotja e ajrit, ujit dhe tokës, janë veprat penale që po hetohen.
Hetimi do të fokusohet në shkaqet që çuan në rrëshqitjen masive e cila shembi rrugën, linjën hekurudhore, linjat elektrike e rrezikon më tej.

Prokuroria në bashkëpunim me institucionet e tjera raportuan se do të verifikohet leja për marrjen e inerteve në Shkumbin dhe zbatimin e saj. Por ajo që mbetet e paqartë është se a do të ketë hetim mbi studimin fillestar gjeologjik të terrenit të dëmtuar tashmë?
Redi Struga, njeriu që administron kompaninë përgjegjëse për studimin gjeologjik të terrenit të Librazhdit tashmë është përfshirë dhe në biznesin e ndërtimit dhe kullave në Tiranë.
Pak muaj më parë, mediat raportuan se shoqëria “Smart Construction Invest” sh.p.k e Redi Strugës dhe “Progeen” sh.p.k e Genc Kuçukut kanë marrë lejen e zhvillimit për objektin “Tirana New Boulevard”, një kompleks me funksion rezidencial dhe shërbimesh, që do të përfshijë ndërtesa me 41 dhe 44 kate mbi tokë dhe 8 kate nëntokë, duke e pozicionuar projektin si një nga më të mëdhenjtë e kryeqytetit.
Leja është dhënë nga Bashkia Tiranë dhe objektet do të ngrihen në një zonë me rëndësi urbane të veçantë, e cila prej vitesh përmendet në strategjitë e zhvillimit si pjesë e “fytyrës së re” të kryeqytetit. Dhe nga ajo që pamë këto me ndërtimin e rrugës së Librazhdit urojmë të mos ndodhë me ndërtimet në Kryeqytet që do të realizojë Struga.
Mungesa e Kapaciteteve Shkencore

Kjo ngjarje ngre një pyetje më të gjerë: a i ka Shqipëria kapacitetet e duhura për të kryer studime shkencore për projekte kaq madhore?
Inxhinieri Faruk Kaba, një njohës i thellë i infrastrukturës, thekson se anomalitë në kosto dhe cilësi burojnë nga një problem strukturor. “Shqipëria sot nuk ka një qendër të mirëfilltë shkencore për rrugët dhe infrastrukturën, edhe pse në këtë fushë shpenzohen mbi 50% të investimeve publike,” shprehet ai.
Sipas Kabës, institutet ekzistuese nuk kanë buxhetet dhe infrastrukturën e nevojshme (laboratorë, programe, instrumente) për të tërhequr specialistët më të mirë dhe për të kryer kërkim shkencor bashkëkohor. Si pasojë, ato nuk mund të përmbushin rolin kyç që kërkon ekonomia për të garantuar vepra publike jetëgjata dhe të sigurta.


