Gjokutaj: Garancia sovrane dështoi, vetëm 12% e fermerëve përfituan
Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj, i ftuar në studion e Ora News, ka analizuar ecurinë e garancisë sovrane për fermerët, duke e cilësuar skemën si një dështim me pasoja serioze për bujqësinë.
Sipas tij, fakti që vetëm 12% e fondit është shfrytëzuar nuk është rastësi, por tregues i një problemi sistemik në financimin e sektorit. Gjokutaj u shpreh se bankat tregtare i konsiderojnë fermat e vogla si subjekte me rrezik të lartë për shkak të faktorëve si kushtet klimatike, informaliteti dhe mungesa e kolateralit, çka ka bërë që kreditimi të mbetet i kufizuar.
"Burokracitë e tepërta dhe shumat e vogla të kredive kanë dekurajuar fermerët, duke e bërë skemën praktikisht të pazbatueshme. Megjithëse është pranuar nevoja për një “ndryshim mentaliteti” në qasjen ndaj bujqësisë, kjo ende nuk është reflektuar në politika konkrete dhe efektive."
Gjokutaj ngriti shqetësimin se problemi nuk lidhet vetëm me një skemë të vetme, por me mungesën e një strategjie të qëndrueshme financimi për bujqësinë. Ai propozoi subvencionimin e normave të interesit, krijimin e një sistemi funksional sigurimesh për mbrojtjen nga rreziqet klimatike, si dhe rritjen e investimeve publike në infrastrukturën rurale, veçanërisht në ujitje dhe rrugë.
Në analizën e tij, eksperti ndaloi edhe te konteksti më i gjerë ekonomik, duke e cilësuar paradoksale situatën ku nga njëra anë shpallet luftë kundër informalitetit dhe nga ana tjetër miratohen politika që, sipas tij, minojnë moralin fiskal. Ai përmendi edhe mungesën e rezultateve të matshme në nismat kundër evazionit.
Sipas Gjokutajt, sfidat reflektohen edhe në tregun e punës, ku vendi po përballet me largimin e të rinjve dhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, ndërkohë që rritet nevoja për punëtorë të huaj në sektorë si bujqësia dhe turizmi.
Në përfundim, ai theksoi se politikat ekonomike duhet të mbështeten në plane konkrete zbatimi, transparencë dhe bashkëpunim me aktorët e tregut, në mënyrë që të shmangen dështime të tilla dhe të garantohet zhvillim i qëndrueshëm për sektorin bujqësor.
Intervista e plotë:
