"Tirana destinacioni kryesor i punësimit"/ Radonshiqi: Përqendrimi i arsimit dhe shërbimeve ka krijuar një cikël zhvillimi këtu
E ftuar në studion e Ora News, ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi foli për arsyet që po e kthejnë Tiranën në destinacionin kryesor për të jetuar dhe punuar, si dhe për ndikimin që kjo ka në tregun imobiliar.
Sipas saj, kryeqyteti është shndërruar në epiqendrën e punësimit dhe arritjeve profesionale në vend, duke tërhequr banorë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.
“Tirana është sot destinacioni kryesor i punësimit dhe arritjeve profesionale. Pagat më të larta janë këtu dhe bizneset janë të përqendruara në kryeqytet. Universitetet dhe shërbimet më cilësore janë në Tiranë, ndaj edhe kërkesa për të jetuar këtu vazhdon të rritet”, u shpreh Radonshiqi.
Ajo tha se përqendrimi i arsimit dhe i shërbimeve shëndetësore ka krijuar një cikël të qartë zhvillimi, ku edukimi pasohet nga mundësi më të mira punësimi, duke e bërë kryeqytetin zgjedhjen kryesore për të rinjtë dhe familjet.
Ekspertja u ndal edhe te interesi në rritje i investitorëve të huaj, veçanërisht nga Europa, të cilët po zgjedhin të jetojnë në Shqipëri.
“Po shohim investitorë europianë që nuk vijnë vetëm për të bërë biznes, por vendosin edhe të jetojnë në Shqipëri. Pozita gjeografike, klima dhe mënyra e jetesës janë faktorë që e bëjnë vendin tërheqës. Kjo kërkesë, si nga vendasit ashtu edhe nga të huajt, ka sjellë rritje të çmimeve të shitjes dhe të qirave në Tiranë”, tha ajo.
Aktualisht, çmimet e pasurive të patundshme dhe të qirave në kryeqytet mbeten më të lartat në vend, duke reflektuar statusin e Tiranës si qendra kryesore ekonomike dhe sociale e Shqipërisë.
Ndiqni intervistën e plotë:

