Norma mesatare e interesit për kredinë e shtëpive bie në 4,19%

Normat e interesit për kredinë e banesave shënuan rënie gjatë vitit 2025, duke mbështetur zgjerimin e mëtejshëm të kreditimit në këtë sektor.

Sipas të dhënave të Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për portofolin e kredisë për blerje banesash në lekë në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4,19%, nga 4,52% që ishte një vit më parë.

Ndërkohë, norma për kredinë në euro ra lehtë në 5,18%, nga 5,26% në dhjetor 2024, duke arritur nivelet më të ulëta që prej mesit të vitit 2022.

Kredia e re për blerje banesash arriti në afro 65 miliardë lekë ose rreth 658 milionë euro, një rritje prej 17,3% krahasuar me vitin 2024.

Rritja ishte më e lartë se ajo e vitit të mëparshëm, kur kredia e re për shtëpi ishte rritur me 13%, duke reflektuar interesin e vazhdueshëm të individëve për investime në pronësi banesore dhe besimin në tregun e kreditimit.