Lirohen 6 banorët e Baks Rrjollit, Qytetari: Jam arrestuar 10 herë, tokën e mbrojmë me çdo çmim

Banorët e Baks Rrjollit në Velipojë që u arrestuan ditën e djeshme gjatë protestave, janë liruar sot. Teksa kanë dalë nga ambientet e komisariatit, banorët u shprehën të vendosur të vijojnë protestat. Njëri prej protestuesve tha ishte hera e 10-të që shoqërohet në Polici.

“Është hera e 10 që shoqërohem nga 5 orë. Ditën e shtunë kam qëndruar 30 orë i ndaluar. Prokuroria e Shkodrës e ka quajtur të paligjshëm ndalimin tim. Kjo është për shkak të një polici që ka qejf të merret me mua. Ne nuk do të ndalim protestat. Do të jemi deri në fund, deri sa të fitojmë. Nuk na ndalon asgjë që të mbrojmë pronën tonë. Nuk e fal pronën, jam betuar. Do të jenë prona jonë, deri në fund, me çdo çmim”, tha një banor.

Protesta e djeshme në Baks-Rrjoll të Velipojës është shoqëruar me përplasje mes forcave të policisë dhe banorëve. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë që ka njohur familjen Malaj si pronar të ligjshëm, banorët kanë tentuar të shkojnë në tokat që ato pretendojnë se janë të tyre. Por, janë hasur në rezistencën e forcave të shumta të policisë.