Nga fjala te plumbi, a po e humbasim aftësinë për të bashkëjetuar? Ekspertja jep alarmin: Jemi vazhdimisht në një stres kronik
Fenomeni i agresivitetit në shoqërinë shqiptare po merr përmasa alarmante, ku një përplasje e çastit degradohet me shpejtësi në dhunë fizike dhe deri në përdorim të armëve, duke ngritur pyetjen thelbësore: a po e humbasim aftësinë për të dialoguar dhe bashkëjetuar?
Normalizimi i kësaj situate po kthehet në një kërcënim serioz, duke reflektuar një mungesë të thellë të kontrollit emocional dhe duke transmetuar modele negative te brezat e rinj.
Ishte kjo tema e bisedës në studion e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai.
Sipas psikologes Eksena Qirici, rrënjët e këtij problemi janë komplekse dhe nuk lidhen me një prirje të lindur, por me një trashëgimi historike dhe kulturore.
Ajo argumenton se presioni i fortë i moralit në të kaluarën, i lidhur me mbrojtjen e familjes dhe nderit, ka bërë që emocionet të shtypen dhe të mos shprehen hapur.
Kjo mungesë e edukimit emocional ka krijuar një shoqëri ku qetësia dhe maturia keqinterpretohen si dobësi, ndërsa agresiviteti shihet si një mjet për të mbrojtur figurën dhe nderin.
“Në kulturën tonë ka qenë kaq e fortë mbrojtja ndaj ofendimit, saqë çdo fjale përpiqemi t’i përgjigjemi me agresivitet për të treguar forcë,” shpjegon Qirici. Kjo sjellje, sipas saj, është thelluar nga një histori e gjatë luftërash dhe pasigurie në rajonin e Ballkanit, që ka kultivuar një mentalitet mbijetese ku forca është thelbësore.
PJESË NGA DISKUTIMET
Është normalizuar duket, agresiviteti dhe duket sikur nuk jemi aspak tolerant dhe për fjalën më të vogël kalojmë në fyerje dhe deri tek vrasja. Pse?
Eksena Qirici: Është e vërtetë dhe më lejo ta nis me, me faktin për nga cilësia e emisionit tuaj. Shpesh kur si profesionist na duhet të diskutojmë mbi këtë çështje, bazuar në faktin që është rritur gjuha e urrejtjes, e rëndësishme është që nëse bëjmë diskutime të kësaj natyre, të flasim me elemente, me përkufizime, me fjali të cilat nuk e përforcojnë pikërisht këtë lloj imazhi.
Ne në përgjithësi konsiderohemi si kulturë agresive, si njerëz agresivë. Ndërkohë që shkencërisht nuk thuhet diku që një popull apo një kulturë lind agresive.
Sigurisht çështja e kontrollit të emocioneve tek ne ka qenë në një formë tjetër. Presioni i fortë i moralit që kemi pasur ndër vite, pra, ato të cilat ne shpesh na karakterizojnë, morali ndaj familjes, morali ndaj figurës femërore, morali edhe si individ, pra për të mbrojtur vetveten.
Të gjitha këto nuk kanë qenë të diskutuara dhe të folura në mënyrë të hapur. Kanë qenë të shtypura dhe të pashprehura në atë lloj mënyre që të marrin zgjidhje.
Dhe kjo është vështirësia sot, që jo vetëm që po humbet si aftësi, por ajo çfarë më shqetëson mua është, a e kemi pasur të zhvilluar shprehjen e emocioneve? Sepse që të arrijmë në këtë lloj niveli kaq agresiv sa një fjali e momentit, që nuk është thjesht një fjali, pra aty ka një histori të tërë.
Pra, nëse një njeriu i duhet të mbrojë figurën e tij mbasi dikush e shan dhe e ofendon, pra me fjalë ekstreme, do të thotë që ka qenë në kulturën tonë kaq e fortë mbrojtja e ndaj ofendimit, pra dhe ne e kemi si kulturë që çdo fjali përpiqemi t'i përgjigjemi me agresivitet, duke e rritur tonin e agresivitetit, për të thënë që unë e vura deri në fund nderin tim dhe e mbrojta figurën time.
Dhe në asnjë moment ne nuk e shohim qetësinë apo mospërgjigjen si një mënyrë për të kontrolluar emocionin, por e lexojmë si dobësi. Pra, keqinterpretimet që ne i kemi bërë ndër vite emocioneve, të cilat tregojnë një lloj qetësie, tregojnë një lloj kontrolli dhe nuk na çojnë në këto lloj nivele, sigurisht ne i kemi, i kemi keqinterpretuar.
Gjë të cilën ti në vendet europiane, po dhe në vendet nordike, i sheh të aplikuara që janë të trashëguara brez pas brezi. Për më tepër, nëse bëjmë analiza për pjesën e Ballkanit, sepse nuk do të thosha që jemi ne shqiptarët e tillë, por janë njerëz të vendosur në një kulturë të cilën historikisht kanë qenë në situata lufte, në situata pasigurie, në situata ku ti duhet të tregohesh i fortë sepse ndryshe nuk mbijeton.
Dhe përgjithësisht këto karakteristika agresive që ne shfaqim, mungesën e komunikimit, tendencën për të treguar forcën, tendencën për të treguar armën, ndodh kryesisht në popuj ose në vende të cilat janë detyruar për shkak të situatës së luftës fizikisht që na ka ndodhur, por edhe psikologjikisht. Pra, tani vërtet nuk kemi luftë, por në mendjen, po ta shohësh në mendjen e çdo individi, sistemi i emergjencës së tij është kaq aktiv sa çdokush mund të shpërthejë në një moment, nëse plotësohen dy-tre elemente, mund të shpërthejë në agresivitet edhe në situata ekstreme.
Dhe nuk jemi njerëz impulsivë, por bëhemi të tillë sepse në çdo lloj marrëdhënie shoqërore, ne duhet ta mbrojmë veten dhe kjo përkthehet në një stres kronik.
Pra, ne jemi njerëz, jo impulsivë, por jemi njerëz që jemi vazhdimisht në një stres kronik, që do të thotë që nga familja dhe deri në hallkën e fundit që e përmbyll qoftë marrëdhënia me të tjerët, qoftë marrëdhënia me punën, qoftë marrëdhënia me shëndetësinë, qoftë marrëdhënia me këdo, tek ne është e infektuar pikërisht nga, nga kjo vështirësi emocionale, sa çdokush sot mund të bëhet një arsye për të bërë një vepër ekstreme.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”


