Xhemollari: Nuk ka mungesa të infrastrukturës në Tiranë për përdorimin e monopatinave
Vendimi i Ministrisë së Brendshme për ndalimin total të qarkullimit të monopatinave elektrike ka shkaktuar reagime të forta nga qytetarët dhe aktivistët, të cilët e konsiderojnë masën arbitrare dhe një ndërhyrje në pronën e tyre private.
Rigers Xhemollari, përfaqësues i qendrës qytetare, theksoi gjatë një interviste në Ora News se arsyetimi zyrtar i ministrisë për mungesë infrastrukture nuk qëndron. Ai përmendi ndërtimin e 52 kilometrave korsi biçikletash në Tiranë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, duke e cilësuar këtë si një kontradiktë që tregon se justifikimi është i pabazuar.
Xhemollari hodhi poshtë edhe argumentin e aksidenteve, duke bërë krahasimin me automjetet: Në pesë vitet e fundit, makinat shkaktuan 6,000 aksidente, 8,000 të plagosur rëndë dhe 1,000 të vdekur. Problemi qëndron tek moszbatimi i ligjit nga drejtuesit e mjeteve, jo tek vetë mjeti.
Aktivisti denoncoi gjithashtu fushatën e Policisë së Shtetit, që po konfiskon monopatinat me pretekstin e mungesës së faturës tatimore, duke shkaktuar humbje ekonomike dhe duke ndaluar edhe të mitur për orë të tëra. Ai ngriti dyshime se vendimi mund të ketë pas interesash të kompanive të naftës, taksive apo për të përgatitur terrenin për një koncesion të ri për monopatinat me qira.
Qytetarët dhe aktivistët do të mblidhen në protestë përpara Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar jo vetëm lehtësimin e qarkullimit të monopatinave, por edhe mbrojtjen e pronës së tyre nga veprimet që ata i konsiderojnë abuzive dhe të paligjshme.
Intervista e plotë:
