OSHEE fshin borxhin me vendim gjykate, i kërkon paratë e mirëmbajtjes

Në Kamëz, qytetarja Maria Milloshi denoncon një problem disavjeçar me OSHEE.

Sipas saj, institucioni i ka kërkuar familjes së saj të paguajë rreth 6 milionë lekë për periudhën 2007–2010, ndonëse në atë kohë nuk ka ekzistuar as kontratë e rregullt furnizimi me energji elektrike dhe as matës i instaluar në emër të babait të saj.

Pas ndjekjes së çështjes në gjykatë, u provua se kontrata nuk i përkiste babait të saj dhe, me vendim gjyqësor, OSHEE u detyrua të fshijë detyrimet e energjisë elektrike.

Familja mendoi se problemi mori fund me ekzekutimin e këtij vendimi. Megjithatë, Maria thotë se OSHEE vijon të mbajë aktive dhe të kërkojë pagesën e detyrimeve të mirëmbajtjes, pavarësisht se gjykata ka konstatuar mungesën e një kontrate të vlefshme.

Ajo shprehet se kërkesa për pagesë vazhdon edhe sot, duke e konsideruar situatën të padrejtë dhe në kundërshtim me vendimin e gjykatës./Emisioni Stop