Pas investigimit të Ora News, policia sekuestron “çajin magjik” të “Limited Charm”. Administratori shpallet në kërkim
Pas alarmit të publikuar nga “Ora investigim” se jeta e qytetarëve ishte në rrezik nga shitja e çajrave që reklamohen si produkte të cilat bëjnë mrekulli, kanë reaguar edhe instancat shtetërore.
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka sekuestruar 10 000 produkte, kryesisht bimore, të cilat rezultuan pa pullën e Agjencisë së Barnave, pa pullën e Ministrisë së Financave dhe pa etiketa në gjuhen shqip.
Produktet e firmës “Limited Charm” shiteshin në faqe interneti.
Investigimi i “Ora News” faktoi se stafi i firmës që ua reklamonte në telefon të moshuarve “çajin magjik”, u sugjeronte të mos i përdornin më ilaçet që i kishte dhënë mjeku, por vetëm këtë çaj.
Gazetarja: Ndërsa përdor këtë mund të heq ilaçet.
Shitësja online: Po, por javën e parë t’i merrni paralel dhe pas 10 ditëve i largoni fare. Nga përvoja e klientëve të mi po ju flas. Nuk përdorin më ilaçe.
“Ora News” ka denoncuar fakti se etiketat ishin në gjuhën serbe, ndërkohe që reklamohej sikur produkti prodhohej në Gjermani.
Shitësja online: Prodhohet në Gjermani dhe ne furnizojmë 8 shtete evropiane, përfshirë Shqipërinë.
Për këtë çaj, që i kushtonte të moshuarve gjysmën e pensionit, nuk ishte e mundur të gjeje as emrin e prodhuesit dhe as emrin e distributorit.
Për më tepër, të dhënat që u ofroheshin blerësve ishin kontradiktore, pasi sipas firmës, ky preparat gjerman u krijua në vitin 2015 nga Instituti i Zemrës dhe Vaskulave në Prishtinë, ndërsa miratimi klinik u krye në një spital që nuk dihet kush është në Shqipëri, në vitin 2011.
Me këtë logjikë absurde ky produkt filloi të shitej 4 vite para se të krijohej.
Pas sekuestrimit të produkteve nga policia në kërkim është shpallur Administratori Jasmin Trebo, me origjinë nga Bosnjë- Hercegovina.

