Spitali “Shefqet Ndroqi” merr Kartën e Autonomisë Menaxheriale, Sala: Mundësi për të zgjeruar shërbimet

Spitali “Shefqet Ndroqi” ka marrë Kartën e Autonomisë Menaxheriale, duke u bërë spitali i 12-të në vend me këtë status që prej vitit 2022. Sipas ministres Evis Sala, kjo rrit pavarësinë administrative dhe financiare të spitalit, duke synuar zgjerimin e shërbimeve dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit ndaj pacientëve.

Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi” ka marrë zyrtarisht Kartën e Autonomisë Menaxheriale, duke e çuar në 12 numrin e spitaleve në vend që e kanë fituar këtë status, që prej hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 2022.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, e cilësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në konsolidimin e reformës së autonomisë spitalore, e cila i hap rrugë autonomisë financiare të institucioneve shëndetësore publike.

Përmes Kartës së Autonomisë Menaxheriale, spitali fiton pavarësi administrative, organizative dhe kontraktuese, duke mundësuar lidhjen e kontratave të reja, zhvillimin e bashkëpunimeve me qendra universitare brenda dhe jashtë vendit, si dhe rritjen e efikasitetit në përdorimin e burimeve.

Ky zhvillim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e aksesit të qytetarëve në shërbime shëndetësore, zgjerimin e paketave të trajtimit, përmirësimin e performancës financiare dhe forcimin e cilësisë së kujdesit spitalor.

Karta e Autonomisë Menaxheriale u pilotua për herë të parë në Spitalin Memorial të Fierit në vitin 2022. Pas tij, këtë status e morën Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, spitalet universitare obstetrike-gjinekologjike “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”, si dhe spitalet rajonale në Elbasan, Korçë, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Gjirokastër dhe Durrës.