Më shumë transparencë dhe mbrojtje për aksionarët në ofertat publike

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar për konsultim publik një projektligj që parashikon ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike”.

Projekti synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian dhe rritjen e transparencës në tregun e kapitalit.

Sipas AMF, projektligji zgjeron fushën e zbatimit të ligjit duke përfshirë ofertat e shoqërive me seli në Bashkimin Evropian ose në Zonën Ekonomike Evropiane, në rast se titujt e tyre janë të pranuar për tregtim në tregun e rregulluar shqiptar.

Një tjetër risi ka të bëjë me titujt me votim të shumëfishtë, të cilët për herë të parë do të konsiderohen me një votë secili në mbledhjet e thirrura për vendime emergjente, duke garantuar të drejtat e barabarta të aksionarëve dhe mbrojtjen e interesit të tyre.

Projektligji vendos gjithashtu rregulla të reja për çmimin e ofertës. Në rast se ofertuesi ose persona që veprojnë në bashkëpunim me të blejnë aksione të të njëjtit lloj me një çmim më të lartë para mbylljes së ofertës, ofertuesi është i detyruar të rrisë ofertën për të gjithë mbajtësit e aksioneve. Për situata të jashtëzakonshme, ose kur ka manipulim të tregut, Autoriteti mund të ndërhyjë dhe të rregullojë çmimin në mënyrë të drejtë.

Projektligji saktëson gjithashtu se ankimi gjyqësor ndaj akteve të AMF-së nuk ka efekt pezullues, ndërsa gjykata mund të refuzojë masa të përkohshme kur ato cenojnë barazinë mes palëve ose kohëzgjatjen e ofertës. Kjo dispozitë synon të shmangë zvarritjet procedurale që mund të deformojnë rezultatin e një oferte publike.

Projektligji thekson edhe rëndësinë e raportimit dhe transparencës ndërkombëtare. AMF do të njoftojë Komisionin Evropian për numrin dhe rezultatin e ofertave, çmimet e ofruara, përqindjen e aksioneve të fituara dhe masat mbrojtëse të ndërmarra nga administrimi i shoqërive.

Të dhënat do të depozitohen në Platformën e Vetme të Aksesit Evropian (ESAP) sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke garantuar qasje të hapur dhe të ripërdorshme.

Aktet nënligjore që zbatojnë projektligjin pritet të nxirren brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi, duke siguruar që legjislacioni shqiptar të jetë në përputhje me praktikat më të mira evropiane.