“Çdo fëmijë ka të drejtë të ndihet i përfshirë”, Kastrati Group dhe Save the Children in Albania bashkëpunim strategjik për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve

“Çdo fëmijë ka të drejtë të ndihet i përfshirë”.

Me këtë mesazh, Kastrati Group dhe Save the Children në Shqipëri kanë formalizuar një partneritet strategjik njëvjeçar, që synon mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Memorandumi i Bashkëpunimit parashikon një sërë nismash të përbashkëta në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, edukimit, mjedisit dhe përfshirjes sociale.

Në zbatim të këtij partneriteti do të përfshihen aktivisht edhe disa nga kompanitë kryesore të grupit, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” dhe ALBSIG.

Ornela Bego, përfaqësuese e Kastrati Group, theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm nuk matet vetëm me suksesin ekonomik, por edhe me ndikimin pozitiv në komunitet.

Ppërfaqësuesja e Save the Children në Shqipëri, Anila Meço, nënvizoi rëndësinë e partneritetit me Kastrati Group, i cili do të ndihmojë në zgjerimin e mbështetjes për fëmijët më në nevojë.

Gjatë një viti zbatimi, palët do të organizojnë fushata publike për të drejtat e fëmijëve, do të mbështesin programe arsimore në komunitete vulnerabël dhe projekte për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ky memorandum synon të shkojë përtej një marrëveshjeje formale, duke u kthyer në një angazhim konkret për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse për çdo fëmijë në Shqipëri.