Anëtarësimi i Rajonit, McAllister: Shqipëria e Mali i Zi, të avancojnë reformat, veçanërisht në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit
Një delegacion prej nëntë eurodeputetësh, i udhëhequr nga kryetari David McAllister (EPP, Gjermani), vizitoi Podgoricën dhe Tiranën nga 16 deri më 18 shkurt 2026, për të shprehur mbështetje për rrugën e anëtarësimit në BE të Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe për të inkurajuar hapa të mëtejshëm.
Në Podgoricë, eurodeputetët u takuan me Presidentin e Malit të Zi, Kryeministrin, Ministrin për Çështjet Europiane, Zëvendëskryeministrin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Ministrin e Jashtëm, Kryetarin e Parlamentit, si dhe përfaqësues të opozitës.
Në Tiranë, takimet u zhvilluan me Kryeministrin e Shqipërisë, Ministrin e Jashtëm, Kryetaren e Kuvendit, Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe me përfaqësues të opozitës.
Në të dy vendet, eurodeputetët shkëmbyen mendime edhe me ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Eurodeputetët e njohën Malin e Zi dhe Shqipërinë si vende kryesuese në procesin e zgjerimit, me afate ambicioze për anëtarësim në BE.
Ata rikonfirmuan mbështetjen e tyre të fortë dhe inkurajuan progres të mëtejshëm, duke theksuar se zgjerimi bazohet në meritë dhe kërkon reforma të thelluara, veçanërisht në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirinë e medias.
Gjithashtu theksuan se stabiliteti politik dhe dialogu konstruktiv janë thelbësorë për ecjen përpara.
Eurodeputetët inkurajuan Malin e Zi të shfrytëzojë mundësinë për të përparuar në objektivin e mbylljes së të gjithë kapitujve negociues këtë vit, ndërsa Shqipërinë të intensifikojë punën për mbylljen e kapitujve në fazën e ardhshme të procesit të anëtarësimit.
Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme (AFET), David McAllister (EPP, Gjermani), tha:
“Mali i Zi dhe Shqipëria janë partnerë të besueshëm që kanë bërë përparime reale në rrugën e anëtarësimit në BE, duke treguar se progresi konkret është i mundur kur ekziston vullnet politik.
Procesi i zgjerimit bazohet rreptësisht në meritë dhe ne vazhdojmë të inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në të dy vendet që të mbeten të përqendruar te reformat e nevojshme për të siguruar që kjo fazë përfundimtare e negociatave të çojë në një anëtarësim të suksesshëm.
Stabiliteti politik dhe dialogu konstruktiv mbeten elementë thelbësorë në këtë drejtim. Komisioni për Punët e Jashtme do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në raportet e ardhshme për vendet. Mali i Zi dhe Shqipëria mund të vazhdojnë të llogarisin në mbështetjen tonë të plotë.”

