Shqipëria në Bordin e Paqes, Xhixho: Rama u përpoq ta personalizonte me një nismë anti-kushtetuese në Kuvend
Kryeministri Edi Rama është nisur sot drejt Uashingtonit, në përgjigje të ftesës së presidentit të SHBA-së, Donald J. Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të këtij Bordi, ku Shqipëriam, sipas qeverisë, ka privilegjin të jetë shtet themelues, njoftoi Agjencia për Media dhe Informim.
E ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, deputetja dhe njehërësh Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh se kryeministri Rama ndodhet atje për të përfaqësuar Shqipërinë, pasi mendimet e tij për Presidentin amerikan Donald Trump dihen prej kohësh.
“Së pari është shumë e qartë se kush i drejton SHBA-të, është z. Trump dhe ne i dimë shumë mirë deklaratat e z. Rama në fushatat e mëparshme ndaj presidentit aktual të SHBA-së, ku e ka konsideruar rrezik global zgjedhjen e Donald Trump president.
E kemi shumë të qartë faktin që sot për këtë qeveri janë kartelet e drogës dhe lufta ndaj korrupsionit, por pa dyshim ky është përfaqësim i Shqipërisë si një aleat strategjik.
Pavarësisht se z. Rama u përpoq në mënyrë tinëzare e anti-kushtetuese, ku ligjin e tij në Parlament u përpoq ta personalizonte gjë që absolutisht tregoi fare qartë kompleksitetin e tij për të pasur emrin e tij në këtë marrëveshje, ndërkohë që ajo është një partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu sikurse ka dhe shtete të tjera që janë në këtë Bord.
Le të mos harrojmë nga ana tjetër çështjet që ka z/. Rama si ajo e Charls McGonigal, e të mos harrojmë ku korrupsioni i tij galopant arriti deri aty që të korruptonte dhe një ish-zyrtar të lartë të FBI-së, ku në dosjen përkatëse ai përmendet mbi 14 herë.
Dhe nga ana tjetër edhe pse ne si opozitë kemi kërkuar komision hetimor, nuk ka asnjë hetim për këtë çështje”, u shpreh ndër të tjera Erisa Xhixho.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”

