Pastrohen rrugët e bllokuara dhe niveli i ujit në rënie, përmirësohet situata nga përmbytjet në Shkodër
Situata në territorin e Qarku Shkodër, datë 18.02.2026, ora 08:30
Në vijim të monitorimit të situatës në territorin e Qarkut Shkodër, bazuar në informacionet e raportuara nga bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, ju informojmë se situata e emergjencave civile paraqitet përgjithësisht e qendrueshme dhe në përmirësim.
Në territorin e Bashkisë Shkodër, situata paraqitet e stabilizuar, duke shfaqur një tendencë të lehtë në ulje të nivelit të ujërave.
Në Obot vijon të ketë prezencë uji, kryesisht në sipërfaqe tokash bujqësore me tendencë rënie. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet nivel uji rreth 40–45 cm. Në mbështetje të situatës, në zonë janë vendosur në gatishmëri mjete të kalueshmërisë së lartë të cilët do të ndërhyjnë sipas nevojave. Deri në këto momente nuk raportohen banesa të rrethuara nga uji.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i liqenit është regjistruar në kuotën 7.90 m ndërsa niveli i Lumit Drin është në kuotën 7.70 m, me tendencë rënieje krahasuar me orët e mëparshme.
Nuk raportohen problematika në funksionimin e kanaleve kulluese, argjinaturave mbrojtëse dhe digës së rezervuarit të Shtodrit.
Situata në akset rrugore:
Në aksin Bogë – Theth, reshjet kanë pushuar dhe rruga është pastruar dhe zgjeruar deri në zonën e Qafë Thore, pranë tunelit të parë. Mjetet dhe specialistët janë në gatishmëri për ndërhyrje në rast nevoje.
Në territorin e Bashkia Vau i Dejës, Bashkia Malësi e Madhe, Bashkia Pukë dhe Bashkia Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.
