MOTI I KEQ PËRFSHIN SHQIPËRINË/ Qafë-Thora mbetet e bllokuar për shkak të ortekëve në zonën e tuneleve. Në Obot prezencë uji në tokat bujqësore
Reshjet e dëborës janë rikthyer në zonat malore të juglindjes, duke shkaktuar vështirësi në disa akse rrugore dhe probleme të herëpashershme me energjinë elektrike. Zonat turistike të Dardhës dhe Voskopojës, si edhe territori i Kolonjës dhe zona e Mokrës, janë përfshirë nga moti i keq.
Sipas Autoriteti Rrugor Shqiptar – Drejtoria Qendër Lindje, reshje dëbore janë regjistruar në segmentet Libonik–Rëmbec–Plasë dhe në aksin Korçë–Voskopojë, ku po kryhen pastrim dhe kriposje të vazhdueshme. Qarkullimi vijon normalisht, por vetëm me goma dimërore.
Probleme paraqiten edhe në aksin Maliq–Kufi Gramsh, ku po punohet për largimin e inerteve të sjella nga reshjet e shiut. Në aksin Ersekë–Tre Urat është regjistruar dëborë, por pa pengesa për qarkullimin. Ndërkohë, në segmentin Boboshticë–Dardhë operojnë dy mjete borëpastruese dhe rekomandohet lëvizje vetëm me goma dimërore.
Situata paraqitet më problematike në veri të vendit. Aksi Bogë–Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore, ndërsa Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të ortekëve. Po punohet për hapjen e rrugës me mjete borëpastruese.
Gjithashtu, në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra, ku qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.
Nga ana tjetër, Korporata Elektroenergjike Shqiptare ka njoftuar nisjen e shkarkimeve të kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin – Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës – pas rritjes së ndjeshme të prurjeve. Është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si edhe të Liqenit të Shkodrës.
Në zonën e Obotit, uji ka përmbytur kryesisht toka bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri më tani. Aksi lidhës i fshatit me rrugën kryesore ka prezencë uji rreth 40–50 cm, çka vështirëson kalimin e mjeteve të vogla. Në terren ndodhen dy mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë të Forcave të Armatosura në gatishmëri për çdo emergjencë.
Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal në lëvizje dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare deri në stabilizimin e situatës.

