Qeveria e Kosovës, mbledhje solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë! Kurti kujton edhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Historia do ta bëjë gjykimin e drejtë!

Kryeministri Albin Kurti tha sot se Kosova po rritet, numri i njohjeve e fuqia e shtetit.

Ai tha se para 18-vjetëve lindi shteti i Kosovës, po lindi i pjekur pasi shumë breza të veprimtarëve kanë punuar e kontribuuar për liri e pavarësi.

“Kosova po rritet. Po rritet numri i viteve të pavarësisë, numri i njohjeve të shtetësisë, ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve e fuqia e shtetit.

Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Kosovës, por lindi e pjekur sepse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata kanë punuar, kontribuar e sakrifikuar që ne të jemi të lirë e të pavarur.

Sot festojmë dhe njëkohësisht nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura të cilat kulmuan me luftën e drejtë të UÇK-së. Gëzuar pavarësia dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, ka thënë ai. 

MBLEDHJA E QEVERISE SOLEMNE

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje solemne në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së vendit.

Kurti në fjalimin e tij ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Sot, në  këtë ditë feste, Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila  do ta bëjë gjykimin e drejtë. Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të mandatit të ri qeverisës. Punët që na presin janë të shumta por i lartë është qëllimi që kemi para vetës”, tha Kurti ndër të tjera në fjalën e tij.