VIDEO/ Epidemiologu Simaku: Nuk ka asnjë shpërthim aktiv të fruthit në institucionet parashkollore

Epidemiologu pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP), Artan Simaku deklaroi sot se nuk ka asnjë shpërthim aktiv të fruthit në vend.

Në një videomesazh të shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Simaku tha se bazuar në të dhënat e survejancës epidemiologjike në vend, nuk ka raste pozitive me fruth në vend dhe as shpërthime në institucionet shkollore dhe parashkollore publike dhe ato private.

“Nuk ka vend për panik për prindërit dhe shoqërinë. Në vitin 2024, Shqipëria u certifikua nga OBSh që e ka eliminuar fruthin në vend. Rastet sporadike menaxhohen me gjurmim të shpejtë të kontakteve, izolim dhe vaksinim të tyre sipas protokolleve shëndetësore”, tha Simaku.

Në fund, Simaku përsëriti apelin për prindërit me fëmijë të vegjël që të vaksinojnë në kohë fëmijët e tyre, sipas kalendarit të vaksinimit për parandalimin e rasteve pozitive me fruth në të ardhmen.