Karanxha: Reforma në Drejtësi ka dështuar, 200 mijë dosje janë të mbartura
Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në studion e emisionit “Off the Record”, deklaroi se Reforma në Drejtësi ka dështuar, duke renditur sipas tij disa arsye kryesore që e kanë çuar në këtë rezultat.
Në fillim, Karanxha u ndal te procesi i vetting-ut, ku sipas tij, pjesa më e madhe e anëtarëve nuk i plotësonin kriteret ligjore për të qenë në ato pozicione.
Ai shtoi se tre prej tyre janë sot aktivë në politikë, duke përmendur rastin e një deputeti të Partisë Socialiste që u zgjodh pas përfundimit të vetting-ut.
“Te vetting-u është konstatuar se anëtarët e tij, pjesa më e madhe e tyre, nuk i plotësonin kriteret ligjore për të qenë në këtë vend. Ke dhe 3 persona që janë në politikë. Njëri prej tyre është deputet i PS pasi mbaroi vetting-u. Pra, e keqja nis që nga zgjedhja e anëtarëve të vetting-ut”, – tha ai.
Më tej, ish-prokurori solli në vëmendje çështjen e dosjeve të mbartura. Sipas tij, kur u prezantua reforma, u tha se ishin rreth 16 mijë dosje të mbartura dhe se duhej ndërhyrë për t’i zgjidhur. Por sot, numri ka arritur në 200 mijë dosje, duke e rënduar ndjeshëm sistemin gjyqësor.
“Kur u bë propaganda në media u tha se janë shumë 16 mijë dosje të mbartura dhe duhen marrë masa, por tani ka shkuar numri në 200 mijë dosje të mbartura”.
“Qytetarët shqiptarë duhet të shkojnë në gjykatë dhe të mbarojnë punë, prandaj u bë reforma. Janë hequr profesionistë dhe nuk mbushet kaq kollaj tani”, theksoi ish-prokurori.
