18 VITE E PAVARUR/ Tirana Zyrtare uron Kosovën: BASHKË, JETË E MOT!

Këtë 17 shkurt, Kosova shënon 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të vendit.

Me rastin e këtij përvjetori, institucionet shtetërore kanë organizuar një sërë aktivitetesh zyrtare dhe ceremoniale, duke nisur nga ngritja e flamurit në oborrin e godinës së qeverisë, te mbledhja solemne e qeverisë.

Në këtë ditë të veccantë nuk kanë munguar urimet nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Presidenti Bajram Begaj shprehet se në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare.

“Gëzuar Kosovë! Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare. Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!

Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë! BASHKË, JETË E MOT!”, shprehet në mesazhin e tij Presidenti Bajram Begaj.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë urimet e tij me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur krenarinë dhe respektin për këtë moment historik të kombit shqiptar.

Në mesazhin e tij, ai u drejtua motrave dhe vëllezërve në Kosovë me urimet më të përzemërta, duke e cilësuar këtë ditë si një nga aktet më të ndritura në historinë moderne të kombit shqiptar. Kryetari theksoi se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një ditë historike lirie, dinjiteti dhe drejtësie, që simbolizon sakrificën dhe vendosmërinë për shtetndërtim dhe të ardhmen euroatlantike.

“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Qofsh gjithmonë e lirë dhe e bekuar,” – shprehet Kryetari Peleshi në mesazhin e tij të urimit.

Kryeministri Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale një fotoalbum nga vizita e tij zyrtare në Prishtinë, e realizuar dje në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Postimi është shoqëruar me një mesazh urimi për Ditën e Pavarësisë, ku Rama shpreh edhe keqardhjen që nuk do të mund të marrë pjesë në manifestimin e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

“I uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shprehet Rama teksa publikon dhe foto-albumin e vizitës së djeshme në Prishtinë.

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ministrja për Europën dhe për Punët e Jashtme ka uruar Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë së saj.

Në një postim në Facebook Spiropali shkruan se kjo është një ditë që kujton sakrificën, qëndresën dhe vendimin e një populli për të jetuar i lirë.

Postimi i plotë i Spiropalit:

Gëzuar Kosovë! Urime 18-Vjetorin e Pavarësisë!

Kjo është një ditë që kujton sakrificën, qëndresën dhe vendimin e një populli për të jetuar i lirë. Një rrugë e vështirë, por e drejtë, që çoi te shteti i Kosovës dhe te dinjiteti i qytetarëve të saj.

Kosova sot është një realitet i pakthyeshëm. Me institucione të konsoliduara, me demokraci në zhvillim dhe me një orientim të qartë euroatlantik, ajo vazhdon të ecë përpara, hap pas hapi, me besim dhe përgjegjësi.

Në këtë përvjetor, Shqipëria qëndron pranë Kosovës si motër dhe si aleate, me përkushtim të plotë për sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen tonë europiane.

Urime nga zemra për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë. Gëzuar Pavarësinë!

18 VITE E PAVARUR/ Tirana Zyrtare uron Kosovën: BASHKË, JETË E

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke shprehur mirënjohje për figurat historike dhe për të gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetësisë.

Në mesazhin e tij, Meta thekson se sakrifica e heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve bëri të mundur realizimin e ëndrrës shekullore për liri. Ai shpreh nderim të veçantë për Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe për Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët, sipas tij, udhëhoqën me vizion dhe vendosmëri rrugën drejt shtetësisë.

Meta vlerëson se pavarësia e Kosovës ka dëshmuar të jetë një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në rajon, ndërsa sot Kosova qëndron krenare si një shembull i demokracisë funksionale, me zgjedhje të lira, institucione të përgjegjshme dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë e dashur! ????????❤️????????

Mirënjohje e përjetshme për Heronjtë, Dëshmorët, luftëtarët dhe etërit e Pavarësisë, që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre bënë realitet ëndrrën shekullore të lirisë.

Nderim i veçantë për Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që udhëhoqën me vizion, guxim dhe vendosmëri rrugën drejt shtetësisë.

Pavarësia e Kosovës dëshmoi se është një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në rajon. Sot, Kosova qëndron krenare si një shembull i demokracisë funksionale, i zgjedhjeve të lira, i institucioneve të përgjegjshme dhe i llogaridhënies para qytetarëve të saj. Lavdi përjetë atyre që sakrifikuan për lirinë!”, shkruan Meta.