NDRYSHIME LIGJORE PËR AKSHI-N/ Malaj: të bashkëpunojë me kompani private. PD kundër: Cënohet siguria

Mazhoranca socialiste i dha OK një nisme ligjore që parashikon që AKSHI-n të krijojë ose bashkëpunojë me shoqëri aksionare ku shteti zotëron të paktën 51% të aksioneve. Opozita kundërshtoi nismën duke e lidhur me hetimet për tenderat e agjencisë

Socialistët në Komisionin për Ligjet kanë miratuar me votat e tyre ndryshimet në ligjin për qeverisjen elektronike, duke i hapur rrugë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të krijojë kompani të përbashkëta me sektorin privat.
Miratimi erdhi mes debatesh të ashpra me opozitën, e cila solli në vëmendje faktin se agjencia dhe ish-drejtues të saj janë nën hetim nga SPAK për abuzime me tenderat.

Nisma e propozuar nga deputeti socialist Erjon Malaj parashikon që AKSHI të ketë të drejtë të krijojë ose të bashkëpunojë me shoqëri aksionare, me kushtin që shteti të zotërojë të paktën 51% të aksioneve.

Por deputetët demokratë e kundërshtuan ashpër këtë ndryshim, duke e lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për tenderat e AKSHI-t dhe akuzat për grup të strukturuar kriminal që rëndojnë mbi ish-drejtuesen dhe disa biznesmenë.
Në të njëjtën linjë ishte edhe deputetja Jorida Tabaku, e cila ngriti pyetjen se kush e garanton që kompanitë e reja me kapital privat nuk do të ndjekin të njëjtën rrugë.

Pavarësisht akuzave, mazhoranca nuk u tërhoq. Përfaqësuesit socialistë i cilësuan kritikat si tentativa për të hedhur baltë mbi një agjenci shtetërore prestigjoze dhe theksuan se çështjet e ngritura i takojnë drejtësisë për t'i sqaruar.
Në fund, ndryshimet ligjore kaluan vetëm me votat pro të mazhorancës, duke i dhënë dritën jeshile formës së re të funksionimit të AKSHI-t.