18 VJET SHTET/ Kosova feston Pavarësinë me çlirimtarët saj në Hagë! Nga ngritja e flamurit te seanca solemne, AGJENDA e aktiviteteve shtetërore

Sot Kosova feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Shteti i Kosovës u shpall i pavarur më 17 shkurt 2008. Ky ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm për popullin e Kosovës.

Deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.

Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, vendi administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe qeveria.

Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe me Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.

Deklarata e Pavarësisë u miratua në mënyrë unanime nga 109 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se, pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë ta mos e njohin.

Pak para Shpalljes së Pavarësisë, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni joushtarak prej 2,000 anëtarësh për sundimin e ligjit, EULEX, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë.

Të gjitha 27 vendet anëtare të BE miratuan mandatin e EULEX‑it, përfshirë edhe pesë vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

GJYQI PËR ÇLIRIMTARËT E KOSOVËS 

18 VJET SHTET/ Kosova feston Pavarësinë me çlirimtarët saj

E teksa Kosova kremton Pavarësinë e saj të 18-të, ditën e djshme në Dhomat e Specializuara në Hagë tashmë janë përfunduar deklaratat përmbyllëse nga Prokuroria Speciale, mbrojtja e viktimave dhe mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së, ku nisi dhe parashtrimi i pyetjeve nga trupi gjykues.

Fillimisht gjyqtari, Kristof Barthe, i shtroi pyetje mbrojtjes së katërshes së UÇK-së për ligjshmërinë e arrestimeve apo paraburgimeve të pretenduara nga UÇK-ja.

“A e argumentoni ju se UÇK si një grup i armatosur jo shtetëror ka pasur të drejtë për t’i arrestuar këta dy persona për arsye ushtarake apo të sigurisë dhe nëse po mbi ç’bazë ligjore e thoni këtë“, tha ai.

Avokati i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq këtë pyetje e quajti akademike, ndërsa shtoi se me ligjin jugosllav lejohej një gjë e tillë.

“Arsyeja pse  e kemi ngritur këtë është se në fazën paragjyqësore sipas ligjit jugosllav lejohej një gjë e tillë. Kur ZPS-ja tha se nuk e kundërshton këtë gjë, ne gjatë gjithë gjyqit nuk e ngritëm këtë çështje e për ta ngritur tani cenon pozitën tonë, sepse e kemi hequr nga tryeza e bisedimeve në bashkëbisedim me ZPS-në. Sipas nesh, po të kishte arsye për të burgosur ekziston një bazë dhe sipas ligjit të brendshëm çështje e të drejtës ndërkombëtare humanitare nuk janë ngritur në këtë çast dhe nuk kemi pasur njoftim të mjaftueshëm”, tha ai.

Ndërsa, avokati i Kadri Veselit, Rodrey Dixon tha se arrestimet e personave që përcaktohen si rrezik i sigurisë parashihen edhe në të drejtën humanitare ndërkombëtare.

“E drejta humanitare ndërkombëtare për konflikt të armatosur ushtarak parashikon që mund të arrestohen persona që mund të perceptohen si rrezik i sigurisë...12’31’’29 Nuk ka asnjë dyshim që personi që përbën rrezik mund të ndalohet. Nuk bëhet fjalë këtu për kushte paqeje. Bëhet fjalë për kushte lufte“, shtoi Dixon.  

Ndërsa, avokati i Jakup Krasniqi, Aiden Ellis tha se UÇK-ja do të duhej të kishte gëzuar të drejtën për të marrë masa në rast se në kampin e tyre futen ushtarë armiq.

“Nëse nuk ekziston mundësia e paraburgosjes atëherë çfarë do të bëjë UÇK-ja nëse 8 ushtarë armiq futen në kampin e tyre, qoftë edhe rastësish. Sipas mendimit tonë, do të duhej të ketë gëzuar të drejtën për të parandaluar në rrethanat e kohës”, tha ai.

Në procesin gjyqësor më të madh ndaj ish-krerëve të UÇK-së tashmë fjalën përfundimtar e kanë përfunduar Prokuroria Speciale, mbrojtja e viktimave dhe mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së. Kjo fazë përfundimtare në këtë proces gjyqësor ka nisur më 9 shkurt të këtij viti.

Këtë të mërkurë priten që katërshja e UÇK-së të marrin fjalën nga 20 minuta.

AGJENDA E MANIFESTIMEVE SHTETËRORE

18 VJET SHTET/ Kosova feston Pavarësinë me çlirimtarët saj

07:00 – Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës (Oborri i Qeverisë)

07:20 – Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Ndërtesa e Qeverisë)

07:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve (Sheshi “Ibrahim Rugova”)

07:35 – Homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë (Oborri i Presidencës)

08:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova (Varrezat në Velani)

08:10 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (Varrezat në Velani)

09:00 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

10:30 – Seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Kuvendi i Kosovës)

11:25 – Nderime te Monumenti “Heroinat” (Rr. Luan Haradinaj)

11:30 – Parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës (Rr. Luan Haradinaj)

17:30 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri

20:00 – Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe – Pallati i Rinisë)

Dita e Pavarësisë përkujton sakrificën dhe rrugëtimin e gjatë drejt lirisë, duke bashkuar qytetarët në nderim të figurave historike dhe në festim të arritjeve shtetërore.