Me simbole të UÇK-së në makinë drejt Hagës/ Rrëfimi i emigrantit që emocionoi rrjetin
Në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa në Prishtinë organizohej një protestë masive në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një gjest simbolik por i fuqishëm vjen direkt nga HAGA. Ilir Dakaj, një emigrant shqiptar me banim në Gjermani, udhëtoi drejt selisë së Dhomave të Specializuara për të ndjekur nga afër seancën gjyqësore dhe për të dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje.
Dakaj ka tërhequr vëmendjen e mediave pasi ka stolisur të gjithë automjetin e tij me emblemën e UÇK-së, një akt ky për të treguar se ish-luftëtarët nuk janë vetëm në betejën e tyre ligjore. “E shpreha dëshirën dhe vullnetin t'ju tregoj se ata nuk janë vetëm atje në Hagë. I përkrahi sa mundem, kështu që edhe veturën time e stolisa me emblemën më të mirë që kemi,” u shpreh ai gjatë një interviste.
I pranishëm në sallën e gjyqit, Dakaj përshkroi momentet emocionuese të komunikimit me ish-krerët e UÇK-së përmes xhamit ndarës. Sipas tij, para fillimit të seancës dhe gjatë pauzave, ata kanë shkëmbyer përshëndetje me mbështetësit në publik. “Të gjithë ishin të lumtur, shikonin nga ne të buzëqeshur, na përshëndesnin me duar sa mundeshin,” rrëfeu ai, duke shtuar se ka takuar edhe familjarë të të akuzuarve.
Mbështetja e tij nuk është e rastësishme. Dakaj zbuloi se ka lidhje personale me disa prej figurave kryesore, duke përmendur lidhjet familjare me Jakup Krasniqin dhe shoqërinë me Rexhep Selimin, me të cilin ka qenë në shkollë. Ai e cilëson ish-presidentin Hashim Thaçi si një “idol”.
I pyetur nëse protestat kanë ndikim real mbi proceset gjyqësore, Dakaj u përgjigj se edhe pse ekzistojnë zëra kundër, ata përfaqësojnë një pakicë. Ai theksoi se është një mbështetës i vazhdueshëm dhe se do të marrë pjesë në të gjitha protestat dhe aktivitetet deri në lirimin dhe shpalljen e pafajësisë së tyre.
Gjesti i Ilir Dakajt vjen si një dëshmi e mbështetjes së palëkundur që diaspora shqiptare vazhdon të ofrojë për ish-drejtuesit e luftës, duke mbajtur gjallë kauzën e tyre edhe mijëra kilometra larg vendlindjes.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:
