DEBUTON “MË E VJETRA” NË PATINAZH/ Deanna Stellato-Dudek garon në Lojërat Olimpike Dimërore
Kanadezja Deanna Stellato-Dudek ka debutuar në Lojërat Olimpike. 42-vjeçarja shprehet se është krenarë për arritjet dhe se synon të frymëzojë gra të tjera që të besojnë te vetja.
Patinatorja kanadeze Deanna Stellato-Dudek bëri debutimin e saj olimpik në moshën 42-vjeçare, duke u bërë një nga sportistet më të vjetra që garon në patinazh artistik në Lojërat Olimpike Dimërore 2026.
Pas 16 vitesh larg sportit, ajo u rikthye në vitin 2016 dhe në çift me Maxime Deschamps fitoi titullin botëror në vitin 2024.
Programi i shkurtër në Milano nuk shkoi sipas planit, pasi çifti pësoi një rënie të papritur në fund të performancës dhe u rendit në vendin e 14-të me 66.04 pikë, përpara programit të lirë.
Stellato-Dudek u shpreh krenare për arritjen, duke theksuar se dëshiron të frymëzojë gratë dhe personat mbi 40 vjeç që të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.
“Na nënvlerësojnë vazhdimisht dhe na thonë gjithmonë jo. Nuk ka asnjë person që më tha se mund ta arrija këtë kur fillova. Pra, fakti që këmbëngula dhe arrita të jem këtu, shpresoj t'u japë njerëzve të tjerë kurajë për të bërë diçka tjetër në jetën e tyre kur njerëzit luftojnë kundër tyre,” - u shpreh ajo.
Edhe partneri i saj, Deschamps, deklaroi se skuadra do të rikthehet më e fortë në programin e lirë, duke e cilësuar garën si një përvojë për t’u shijuar deri në fund.
