MAROTTA “MBRON” BASTONIN! Drejtori ekzekutiv i Interit: Objekt gjuetie shtrigash mediatike
Drejtori ekzekutiv i Interit, Giussepe Marotta, i ka dalë në mbrojtje futbollistit zikaltër Alessandro Bastonit, pas ndeshjes së derbit. Mbrojtësi po gjykohet ashpër mediatikisht për simulim, që çoi në ndëshkimin me karton të dytë të verdhë të kundërshtarit, Kalulu.
Derbi i Italisë mes Interit dhe Juventusit, i mbajtur më 14 shkurt, vazhdon të prodhojë polemika edhe pas vërshëllimës së fundit.
Në qendër të debatit është episodi i diskutueshëm mes Bastonit me Kalulun, dhe vendimin e arbitrit Daniele La Penna për ndëshkimin e këtij të fundit me 2 kartona të verdhë.
Në përfundim të takimit të Serie A, drejtori ekzekutiv i klubit zikaltër, Giuseppe Marotta doli në konferencë për shtyp, duke reaguar ashpër ndaj kritikave mediatike.
Sipas tij, Bastoni është bërë objekt i një “gjuetie shtrigash” të pajustifikuar:
“Po flasim për një lojtar 26-vjeçar me mbi 300 ndeshje në Serie A, që nuk ka qenë kurrë pjesë e incidenteve të diskutueshme. Është një aset për kombëtaren. Reagimi mediatik ka qenë i tepruar, - u shpreh ai.
Megjithatë, ai e pranoi se vendimi në fushë ishte i gabuar, por e cilësoi episodin si një situatë të zakonshme në futboll, jo si një rast të jashtëzakonshëm.
Presidenti zikaltër rikujtoi se Interi sezonin e kaluar humbi titullin me vetëm një pikë diferencë dhe theksoi se klubi ka respektuar gjithmonë vendimet e arbitrave.
Ai përmendi edhe rastin Napoli - Inter, ku një penallti e diskutueshme, sipas tij, ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe më pas u cilësua si vendim i pasaktë nga organet kompetente.
Marotta riktheu në vëmendje edhe një episod nga viti 2021, në ndeshjen Juventus - Inter, ku simulimi i pretenduar i Cuadrados, sipas vlerësimeve të mëvonshme të arbitrave, ndikoi në kualifikimin e Juventusit në Ligën e Kampionëve.

