Kërkimet për 65-vjeçarin e zhdukur në lumin Vjosë vazhdojnë prej 13 ditësh
Në shtratin e lumit Vjosë prej 13 ditësh vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 65-vjeçari Ylli Dine nga fshati Mezhgoran i Tepelenës.
Prej datës 3 shkurt familja ka humbur kontaktet me të ndërsa dyshohet se është mbytur në lumin Vjosë. 65-vjeçari punonte si bari në fshatrat e zonës së Tepelenës ndërsa ndër pistat kryesore për shkakun e zhdukjes së tij është rrëshqitja aksidentale në ujërat e lumit.
Sipas njoftimeve, pjesë e operacionit të kërkimit janë palumbarët e RENEA-s, efektivat e policisë dhe strukturat e emergjencës. Në fundjavë, në Tepelenë mbërritën dy grupe kërkim-shpëtimi nga Tirana të cilët iu bashkuan operacionit të kërkimit për gjetjen e trupit të 65-vjeçarit. Mësohet se pjesë e tyre janë specialistë nga Shkolla e Kërkim-Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik me pajisjet të specializuara.
