Arrestimi i 13-vjeçarit/ Bushkolaj rikthehet te protesta e opozitës më 24 Janar: Zonë e mbuluar me kamera, dështim i protokolleve
I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, gazetari Elkier Bushkolaj ka folur për nivelin e kriminalizimit të Policisë së Shtetit.
Sipas tij, akuzat për përfshirje të strukturave policore në lidhje me botën e krimit nuk janë të reja.
“Sot nuk po flasim më për raste sporadike. Ka indicie që drejtues të lartë policie kanë shërbyer si shoferë personalë për figura të rrezikshme të botës së krimit. Kjo është tabloja më e rëndë e mundshme për një institucion që duhet të luftojë krimin.”-tha ai.
Bushkolaj u ndal edhe te dosjet e hapura nga SPAK, ku, sipas tij, shfaqen emra të zyrtarëve të lartë policorë të përfshirë në afera kriminale.
“Kur sheh dosjet e SPAK-ut dhe emrat e oficerëve të lartë që dalin aty, kupton se kemi të bëjmë me një degradim serioz të policisë. Është e dhimbshme për një institucion që ka dhënë dëshmorë në luftën kundër krimit.”- u shpreh gazetari.
Elkier Bushkolaj gjithashtu kritikoi mënyrën si u menaxhua protesta e 24 janarit e zhvilluar nga opozita, duke u ndalur te rasti i arrestimit të një 13-vjeçari, pa verifikime paraprake, në një zonë të monitoruar plotësisht me kamera sigurie.
“Në një zonë të mbuluar me kamera nga çdo kënd, policia arreston një fëmijë 13-vjeç pa verifikuar faktet. Kjo tregon mungesë profesionalizmi dhe dështim të protokolleve bazë të ndërhyrjes.”- analizoi ai.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË:
