Bajram Begaj dënon sulmin në British Columbia: Shqipëria pranë Kanadasë në këtë moment tragjik
Presidenti Bajram Begaj është shprehur i tronditur për sulmin me armë në shkollën e “British Columbia” në Kanada, ku kanë humbur jetën 10 persona dhe janë plagosur rreth 25 të tjerë.
Begaj u ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave dhe solidarizimin e Shqipërisë me popullin kanadezë kundër çdo akti dhune që merr jetë njerëzore.
“I tronditur nga të shtënat tragjike në një shkollë në British Columbia. Ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria solidarizohet me popullin kanadez dhe dënon çdo akt dhune që merr jetë njerëzore”, shkruan Begaj në “X”.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, shtatë nga viktimat u zbuluan brenda shkollës së mesme në komunitetin Tumbler Ridge. Dy persona të tjerë u gjetën të pajetë në një banesë, ndërsa një tjetër viktimë humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Edhe personi që dyshohet se hapi zjarr u gjet gjithashtu i pajetë, ndërsa ekziston mundësia që ai/ajo të jetë vetëqëlluar. Ende nuk është i qartë motivi i sulmit, ndërkohë që hetimet për identifikimin e autorit dhe viktimave vijojnë.
