Nga Selia Blu në Shesh: Demokratët finalizojnë përgatitjet për protestën kombëtare

Protesta e opozitës: Masat e sigurisë dhe pikat e grumbullimit të qytetarëve

Protestuesit e opozitës do të vendosen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku është nisur përgatitja e zonës dhe marrja e masave që nga mbrëmja e djeshme, për shkak të foltores që do të ngrihet para Kryeministrisë.

Disa rrugë do të bllokohen për qarkullimin, ndërsa demokratët vijojnë përgatitjet e fundit. Nga qarqet e ndryshme ka nisur mbërritja e mbështetësve nga qytetet përkatëse, ndërkohë që degët lokale kanë marrë masat për organizimin e qytetarëve.

Pikat e grumbullimit:

·Qytetarët do të mblidhen në Sheshin “Skënderbej”.

·Një tjetër pikë grumbullimi do të jetë Sheshi “Nënë Tereza”.

Nga ana e policisë janë marrë një sërë masash, përfshirë ndalimin e qarkullimit nga Ura e Dajtit deri pranë Kryeministrisë, dhe janë aktivizuar kamerat e sigurisë. Policia ka lyer shtyllat e dritave ku janë vendosur kamerat për të parandaluar ngjitjen e simboleve nga protestuesit.