Kushtetuesja shqyrton ankimin e PD: Rregullorja e Kuvendit, rrezik për ndarjen e pushteteve

Në Gjykatën Kushtetuese ka nisur të shqyrtohet ankimi i Partisë Demokratike mbi ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, që u miratuan në fillim të legjislaturës së re, me votat e mazhorancës dhe që prodhuan tensione në sallën e Parlamentit.

Partia Demokratike, më konkretisht 39 deputetë të saj, vunë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e rregullores së re të Parlamentit.

Sipas ankimit të PD të depozituar në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për ndryshimin e Rregullores cënon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi reflekton një ndërhyrje flagrante të pushtetit ekzekutiv (kryeministrit) në kompetencën kushtetuese të pushtetit legjislativ (Parlamentit) për vetërregullimin e mënyrës së organizimit dhe funksionimit të tij.

“PD kërkon:

(i) Shfuqizimi i vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.

(ii) Pezullimin e vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”, thuhet në kërkesën e partisë më të madhe opozitare.

Demokratët pretendojnë se këto ndryshime janë realizuar vetëm 5 ditë pas fjalës së mbajtur nga Kryeministri, njëherazi edhe kryetar i PS-së, Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, këshilltar i Grupit Parlamentar të kësaj partie, ka vënë theksin në cënimin e ndarjes së pushteteve, që sipas tij cënohen nga këto ndryshime të Rregullores së Kuvendit.

Ai tha se përqëndrimi i pushtetit në një dorë krijon kushtet për shpërdorimin e pushtetit.

“Asnjë organ nuk mund të ndërhyjë në kompetencat e një tjetër pushteti apo organi dhe institucioni kushtetues”, tha Logu.

Ai tha se ndryshimin për rregulloren e Kuvendit mund ta ndërmarrin vetëm deputetët, ndërsa shtoi se ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv përbën një cënim të ndarjes së pushteteve.

“Edi Rama paraqiti nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, krahas përbërjes së qeverisë, edhe përbërjen e Komisioneve Parlamentare dhe ndarjen e tyre. Ky moment shënon ndërhyrjen e hapur në pushtetin legjislativ, ndërkohë që Parlamenti as nuk ishte mbledhur, madje nuk ishte caktuar as data nga Presidenti i Republikës, se kur do të zhvillohej seanca e parë e Kuvendit të Shqipërisë.

Neni 78, pika 2, e Kushtetutës, përcakton se çdo mbledhje deputetësh, e cila nuk thirret në përputhje me Rregulloren, nuk sjell asnjë pasojë, pra vendimet që mund të merren janë nul. Kjo ka ndodhur edhe në seancën ku u miratuan ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit”, tha Logu, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të pezullojë vendimmarrjen në këtë seancë.