I zhytur në akuzat e korrupsionit, Veliaj 'feston' 1 vit prapa hekurave 

Ky 10 shkurt shënoi fiks 1 vit nga arrestimi dhe mbyllja në paraburgim e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me kërkesë të SPAK. Materiali në vijim sjell një përmbledhje të disa momenteve nga dita kur Veliaj u vu në pranga deri në këtë përvjetor të parë në qeli.

Këto pamje kur Erion Veliaj arrestohet me urdhër të SPAK, shënuan një nga çështjet më të rëndësishme të hetimeve antikorrupsion në Shqipëri në dekadat e fundit!

Ky 10 shkurt shënoi fiks 1 vit nga ky moment, kur kryebashkiaku I Tiranës, u mor nga zyra e tij nga Zbatuesit e drejtësisë së re dhe mbyll në qelitë e paraburgimit ku ende mbahet.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke argumentuar rrezikun e prishjes së provave dhe ndikimit në hetim.

Gjatë muajve në vijim, hetimet e SPAK vijuan me grumbullimin e provave dhe analizimin e transaksioneve financiare, ndërsa Veliaj qëndroi në paraburgim në qendrën e paraburgimit në Durrës

Në korrik 2025, pas rreth pesë muajsh hetimesh, ai u njoftua zyrtarisht për statusin e të pandehurit. me akuza që përfshinin korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie

Por ndërsa ishte në paraburgim, Veliaj nuk hoqi dorë nga skemat për tiu shmangur e shpëtuar përballjes me drejtësinë.

Mbështetësit e tij zbritën në protest kundër SPAK e GJKKO, ndërsa Veliaj sipas hetimeve porositi sulme verbale ndaj prokurorëve që hetuan.

SPAK e dorëzoi dosjen e Erion Veliajt në Gjykatën e Posaçme më 10 shtator 2025, pasi përfundoi hetimet paraprake.

Prokuroria e Posacme renditi aty 13 akuza për 5 vepra penale që përfshijnë korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash në bashkëpunim.

Më vonë iu shtua edhe futja e sendeve të ndaluara në paraburgim.

Krahas Veliajt nën akuzë u vu edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe 28 biznesmenë, politikanë, organizata jo qeveritare

Prokuroria pretendoi se përfitimet e dyshuara lidhen me një skemë të ndërlikuar financiare që përfshinte kontrata dhe përfitime të paligjshme nga fondet publike të bashkisë.

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026, seancat paraprake u zhvilluan në Gjykatën e Posaçme, ku pati edhe shtyrje të herëpashershme për arsye procedurale, përfshirë ndryshime në përfaqësimin ligjor dhe kërkesa të mbrojtjes për shtyrje të seancave.

Më 9 shkurt 2026, pas përfundimit të shqyrtimit paraprak, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin e dosjes për gjykim në themel, duke hapur fazën e procesit gjyqësor ndaj Veliajt dhe të pandehurve të tjerë të përfshirë në çështje.