Një libër për ngjarjen e Reçakut - Ambasadori Walker e promovon në SHBA: Ajo që ndodhi atje solli edhe çlirimin e Kosovës

Kujtimet dhe ndjesitë e masakrës së Reçakut në Kosovë, ish-ambasadori William Walker i ka përmbledhur në librin e tij “Reçaku”, të cilin e promovoi këtë të shtunë në ambientet e shoqatës “Bijtë e shqipes”, në Filadelfia të SHBA-ve.

Walkerit iu rezervua një pritje e ngrohtë nga kryesia e shoqatës si dhe nga shqiptarë të shumtë që jetojnë atje, duke e shndërruar takimin në një shkëmbim emocionesh.

Kryetari i shoqatës, Dritan Matraku, në fjalën e tij theksoi se: “Ambasadori Walker pati kurajën ta quajë masakrën e Reçakut krim kundër njerëzimit. Ai i përshkruan faktet si dëshmitar”, tha ai, ndërsa shprehu falënderimin për gjithçka ai ka bërë dhe vazhdon të bëjë në mbrojtje të çështjes shqiptare.

Një libër për ngjarjen e Reçakut - Ambasadori Walker e

Sakaq, Doruntina Rukiqi, një dëshmitare e gjallë e masakrës iu drejtua të pranishmëve me fjalët: “Ambasadori Walker është arsyeja që jam gjallë dhe ai shpëtoi shumë jetë. Në vitin 1999, në Reçak, historia thirri emrin e tij. Ti ke një statujë në Reçak, por ti je një kujtesë e gjallë dhe ishe zëri ynë kur nuk kishim asnjë.”

Një libër për ngjarjen e Reçakut - Ambasadori Walker e

Nga ana e tij, William G. Walker tha se: “Ajo që ndodhi në Reçak solli edhe çlirimin e Kosovës. Pati edhe masakra të tjera në Kosovë si tek Jasharët, madje edhe me me shumë viktima por cila ishte diferenca? E mbaj mend arsyen. Të gjithë përbërësit u bënë bashkë ç'ka solli bombardimin e Serbisë”.

Më tej, Walker shtoi se: “Njerëz si Bill Klinton, Shirak, etj., vendosën që duhej bërë diçka. Pse Klinton u përfshi? Mbase për t’iu shmangur problemeve e tij si me Levinskin, probleme në Londër, etj. Millosheviçi refuzoi Rambujenë dhe ndaj u bombardua Serbia. Po ta kishte firmosur atë marrëveshje, Kosova do ishte provincë e Serbisë”.

Një libër për ngjarjen e Reçakut - Ambasadori Walker e

Duket se konsiderata e Walker për shqiptarët është ende e lartë. Ai shtoi se: “Kur flas për çështjen shqiptare them se çdo shqiptar duhet të jetë krenar për atë që kanë ndërtuar atje. Në më pak se dy dekada shqiptarët e Kosovës ndërtuan një sistem demokratik dhe ata kanë të gjitha liritë që ne kemi këtij në USA. Kosova është një perlë e çmuar e demokracisë. S ka vend në Evropë dhe botë që bën aq shumë për minoritetet sesa Kosova bën për serbët. Edhe mënyra sesi e ruani traditën dhe e trashëgoni tek fëmijët është e rrallë ndër popujt e tjerë. Jam shumë krenar që jam përfshirë me komunitetin shqiptar”.

Masakra e Reçakut ndodhi me 15 janar të vitit 1999, ku u vranë 45 shqiptarë civilë. Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara.

Ai deklaroi: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”.