Veliaj kalon për gjykim/ Olli: Procesi i rregullt gjyqësor duhej të kishte filluar më herët
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e Ora News, gazetari Leonard Olli komentoi zhvillimet e fundit lidhur me kalimin për gjykim të kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e cilësuar këtë si një procedurë që duhej të kishte nisur më herët.
Sipas Ollit, hetimi ka zgjatur për një kohë të gjatë, ndërkohë që masa e sigurisë ka qenë ekstreme, ajo e arrestit me burg.
“Është një procedurë normale që në thelb duhet të kishte ndodhur edhe më herët. Një kohë kaq e gjatë për kryerjen e hetimit, ndërkohë që masa ka qenë ekstreme në kuptimin e ndalimit me arrest në burg. Më në fund ka ardhur koha që çështja, sipas palëve, të kalojë në një proces të rregullt gjyqësor”, u shpreh Olli.
Ai theksoi gjithashtu se SPAK nuk është vetë reforma në drejtësi, por vetëm një nga hallkat e saj.
“SPAK-u nuk është reforma në drejtësi, por një nga hallkat e reformës. Është organ hetimi. Kalimi i çështjeve sa më parë për gjykim do të ishte gjëja më e mirë, pasi pikërisht aty provohet serioziteti dhe puna reale”, përfundoi gazetari Leonard Olli.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:
