Dedaj: Ndryshimi i ligjit për vendime të SPAK dhe GJKKO, alarm për shtetin e së drejtës
Këshilltari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Everest Dedaj, deklaron se deklarata e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit socialist është kërcënim i hapur ndaj drejtësisë.
REAGIMI I DEDAJT
Deklarata e Kryeministrit për ndryshimin e ligjit, vetëm sepse nuk i pëlqen një vendim i SPAK-ut dhe GJKKO-së, është një alarm serioz për shtetin e së drejtës.
Logjika e Kryeministrit, dhe si rrjedhojë edhe e grupit parlamentar të PS-së, është e thjeshtë dhe e rrezikshme!
Nuk më pëlqen vendimi i SPAK-ut dhe GJKKO-së, ndaj e ndryshoj ligjin dhe e përshtas sipas interesit të partisë.
Ky është një nga momentet më të rënda dhe më vendimtare në gjithë ecurinë politike postkomuniste të Shqipërisë.
Po, kemi parë edhe më parë sulme politike ndaj institucioneve të drejtësisë. Kemi parë retorikë agresive, akuza publike, presion verbal.
Por sot jemi përball diçkaje tjetër!
Jemi përballë ndryshimit të ligjit për të mbrojtur veten dhe një ministre të korruptuar deri në palcë. Kjo nuk është më retorikë politike, është një minë e vendosur drejtpërdrejt mbi themelet e shoqërisë shqiptare dhe nën çdo shtyllë mbi të cilën funksionon një demokraci, sado e brishtë të jetë ajo.
Deri më sot, Kryeministri këmbëngulte se SPAK nuk kishte të drejtë të pezullonte një anëtare qeverie. Sot pranon se ligji, në fakt, ia mundëson këtë. Problemi i vetëm është se ky ligj nuk i intereson, ndaj zgjidhja është ta ndryshojë.
Ajo që paralajmëron Kryeministri nuk është thjesht një ndërhyrje ligjore. Është varrimi i reformës në drejtësi dhe çimentimi i pandëshkueshmërisë.
Dhe kjo ka pasoja që shkojnë shumë përtej një emri, një dosjeje apo një mandati politik.
