Kurti për protestën e 10 shkurtit: Pa risi, pritet i njëjti skenar si më parë

I ftuar në studion e Ora News ditën e sotme ishte Andi Kurti, analist dhe redaktor i Ora News, i cili komentoi protestën e paralajmëruar nga opozita më 10 shkurt, duke ngritur pikëpyetjen nëse kjo protestë përfaqëson zërin e qytetarëve të zhgënjyer apo një betejë politike mes elitash.

Sipas Kurtit, nuk bëhet fjalë për një protestë që synon realisht rrëzimin e pushtetit apo për një skenar klasik të marrjes së pushtetit me dhunë. Ai theksoi se, pavarësisht retorikës së fortë të përdorur nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, opozita ka deklaruar qartë se do të ndjekë rrugën ligjore.

“Nuk jemi duke folur për një protestë që kërkon rrëzimin e pushtetit në mënyrë të mirëfilltë. Retorika e zotit Berisha ndaj kryeministrit ka qenë e fortë, por ai ka deklaruar se Partia Demokratike mbetet demokratike dhe do të ndjekë rrugën ligjore. Pavarësisht retorikës, protesta do të zhvillohet brenda kuadrit ligjor dhe nuk pres një narrativë të marrjes së pushtetit me dhunë. Shpresoj që 10 shkurti të jetë një protestë demokratike,” u shpreh Kurti.

Analisti shtoi se nuk pret risi nga kjo protestë, duke e krahasuar me tubimet e mëparshme të opozitës.

“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë risi nga protestat e tjera. Besoj se do të ndiqet i njëjti skenar: dalja e zakonshme në bulevard dhe në fund përplasjet me policinë. Nëse do të kemi një skenar ndryshe, kjo do të ishte një surprizë nga opozita,” përfundoi ai.

NDIQENI TË PLOTË: