Shërbëtorët e Veliajt që gënjyen publikisht për prokurorët e SPAK-ut

Kërkesa e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshim të masës së sigurisë, u rrëzua në seancën gjyqësore të zhvilluar në GJKKO, një javë më parë.

Pas zhvillimit të seancës për kryebashkiakun, ndaj të cilit rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, një furi lajmesh me procesverbalet e pretenduara të kësaj seance pushtoi mediat e paguara nga inceneratorët dhe vëllai i Erion Veliajt, Arbër Veliaj, i cili ndodhet nën hetim nga SPAK-u.

Lajmi kishte një titull: “Veliaj të qëndrojë në burg se mori avokatë amerikanë”, publikim procesverbalesh, shkrime, opinione, por që po të lexoje tekstin midis rreshtash nuk gjendej asnjë fjali mbi të cilën ishte ngritur furtuna në “gotën” e mediave të Veliajt.

Në procesverbalet e seancës gjyqësore me dyer të mbyllura, nxjerrë nga avokatët e Veliajt dhe studiot e tij ligjore dhe lobiste, pretendohet se prokurorët e SPAK-ut, Ols Dado dhe Altin Dumani, kishin thënë se Erion Veliaj duhet të vijojë të qëndrojë në burg, se ka marrë një avokat amerikan, siç e theksuam më lart.

Këtë mashtrim nuk e gjetëm asgjëkundi në procesverbalet e publikuara ku ishte tjetërsuar teksti siç ndodhi rasti me pretendimin se Veliajt i ishte thënë “ndyrësirë” muaj më parë.

I pari e fillon këngën Carlo, por është më diplomatik, më pas vajit ia merr gazetari i familjes Veliaj, Mero Baze, ky e rëndon dorën. Duke qenë se thjesht kopjon apo vjedh lajmet e të tjerëve duke qenë edhe më i neveritshëm se të tjerët bën titull dhe sulm më agresiv duke qelbur edhe me editorialet e tij që tashmë nuk i lexon as vetë dhe shpesh thonë se i bën me ChatGPT.

Në skenë del edhe Ylli Manjani, si mbetje e ushtrisë të Erion Veliajt kundër drejtësisë, një qëndrim që publikohet dhe bëhet pjesë e marrëzisë së dalë në mediat e paguara me para skandalesh, inceneratorësh dhe aferash pushteti të Rilindjes.

Ja çfarë kanë thënë prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani në seancën gjyqësore me dyer të mbyllura sipas procesverbaleve të publikuara nga mediat e pushtetit:

“Jemi vënë në dijeni, pasi elementë të rinj në lidhje me nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, të nenit 163 në lidhje me kushtet e përcaktimit të masës së sigurimit personal, për një fushatë lobimi të shtetasit Erion Veliaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fond financimi rreth 221 mijë dollarësh. Nga burime të hapura, është një shkrim, ka shumë shkrime, por do të doja që këtë gjykata ta shqyrtonte si provë. Në gjykimin tonë kjo fushatë lobimi, e cila ka shkuar deri në nivelet më të larta politike administrative të Shteteve të Bashkuara nuk përbën një mbrojtje juridike për veprimtari të funksionit politik, synon delegjitimimin e organeve që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe tregon vullnetin e të pandehurit për të shmangur procesin penal.

Pra, mbrojtja nga procesi penal dhe jo mbrojtja në procesin penal duket se është synimi kryesor i të pandehurit Erion Veliaj gjatë këtyre muajve të hetimit paraprak, por dhe të gjykimit në seancë paraprake. Për ne është një element shumë i rëndësishëm që tregon se klima e krijuar në raport me Prokurorinë e Posaçme, por dhe me gjyqtarin në hetim paraprak. Të mos harrojmë këtu që nga burime të hapura gjithashtu, këta aktorë të sistemit të drejtësisë, pra edhe prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, por edhe gjyqtarë, janë cilësuar si anëtarë aktivë të një partie që i përket opozitës në Shqipëri. Janë cilësuar të lidhur, ose të paktën vetëm prokurori, me interesa të ngushta zhvillimore ndërtuese. Kjo është një situatë që krijon një klimë ndikimi jo vetëm tek organet e drejtësisë dhe aq më tepër mund të imagjinojmë efektin që krijon te dëshmitarët, por dhe te dëshmitarët e drejtësisë që janë pjesë jetike, thelbësore e këtij procesi”.

Mediat e pushtetit mashtrojnë publikisht, sepse në asnjë rresht të qëndrimit të prokurorëve dhe sipas procesverbaleve të shpërndara nga avokatët e Veliajt nuk thuhet që marrja e avokatëve amerikanë është arsye që Erion Veliaj të rrijë në burg. Prokurori ka folur mbi klimën e krijuar në raport me dëshmitarët, procesin dhe sulmin ndaj organeve të drejtësisë.

Një tjetër gënjeshtër që e gjen më pas në tekstet që kryesisht publikohen me dirigjim për të bërë raporte të tjera mashtrimi dhe lobimi, pretendohet se zgjatja e afatit të paraburgimit të Veliajt ndodhi me pretendimet e cekëta dhe mospërgatitjen e prokurorëve që nuk kishin argumente, por edhe sollën në seancë avokatët amerikanë.

Tjetër gënjeshtër kjo pasi nuk ka pasur asnjë zgjatje afati paraburgimi, por Erion Veliaj ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë dhe prokurorët kanë dhënë argumentet e tyre pse masa nuk duhet ndryshuar. Kaq, asgjë më shumë. Të tjerat janë mashtrime publike me dirigjencë dhe në shërbim të të burgosurit me kodin “Zdroms” në burgun e Durrësit.

Sa për pjesën tjetër se nga buroi zhurma dhe si dolën procesverbalet e një seance me dyer të mbyllura, përgjigjja është e thjeshtë, avokatët, Arbri që paguan thasët me para, i çojnë te shërbëtorët mediatikë të Veliajt. Ata që dje të bënin gjyqin për publikimin e përgjimeve skandaloze të Veliajt, këtë herë gënjejnë me tekstet e procesverbaleve që zbardhin vetë një vit më pas. /CNA