Siguria ushqimore, Ballesha: E pamundur të analizohet çdo produkt, zgjidhja është një metodologji e mirë e vlerësimit të riskut

Në emisionin “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai u diskutua këtë të enjte gjerësisht tema e sigurisë ushqimore në Shqipëri, jo vetëm si një e drejtë e qytetarëve shqiptarë, por tashmë edhe si një nga sfidat më të mëdha në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari, profesori Kaplan Sulaj, por edhe ekspertja Esmeralda Ballesha analizuan situatën aktuale, duke filluar nga zinxhiri ushqimor “nga fara në tavolinë”, kapacitetet laboratorike, e deri te reformat e fundit ligjore.

U theksua se siguria ushqimore nuk është një moment i vetëm, por një zinxhir kompleks që kërkon kontroll rigoroz.

Një pikë kyçe e diskutimit ishte krijimi i Inspektoratit Qendror, i cili synon të shmangë mbivendosjet dhe të rrisë profesionalizmin, duke ndarë politikëbërjen nga inspektimi.

Gjithashtu, u trajtua çështja e mbështetjes financiare për bizneset dhe fermerët që të arrijnë standardet e kërkuara, si dhe domosdoshmëria e formalizimit të rreth 150,000 fermerëve në skemat e reja.

Esmeralda Ballesha e nisi trajtimin e problemit nga ana e biznesit fermer dhe të industrisë ushqimore.

“Sa i përket analizave, asnjë shtet në botë nuk harxhon aq shumë para për të bërë analiza të çdo produkti, qoftë të atyre që prodhohen në vend, qoftë atyre që vijnë nga jashtë.

E vetmja mënyrë që t’i të kesh një sistem sigurie ushqimore të kontrolluar është duke pasur një metodologji të mirë të vlerësimit të riskut”, u shpreh ndër të tjera, ekspertja Ballesha.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”