Kursimet në banka në nivel rekord/ Shqiptarët depozitojnë mbi 15 miliardë euro gjatë vitit 2025

1.48 trilionë lekë ose thënë ndryshe rreth 15 miliardë euro janë kursimet që ndodheshin në bankat e vendit në fund të vitit 2025.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për depozitat, ky është niveli më i lartë gjatë vitit, ndërsa shumica e tyre ishin në monedhën vendase.

Të dhënat tregojnë se depozitat në lekë arritën kulmin gjatë vitit 2025. Nga 651.5 miliardë lekë në janar, ato u rritën në mbi 710.6 miliardë lekë në dhjetor, një rritje prej gati 60 miliardë lekësh brenda një viti.

Megjithatë, depozitat në valutë kanë pësuar ndryshime më të vogla, por kanë mbetur vazhdimisht në nivele të larta, duke kapur vlerën e 773 miliardëve lekë.

Mbi 1/3 e parave në bankat shqitare janë në depozita të transferueshme dhe në ato pa afat.

Depozitat e transferueshme, të cilat janë para që mundë të përdoren menjëherë nga poseduesi i tyre, u rritën nga 385 miliardë lek në janar në afro 418 miliardë lekë në dhjetor 2025. Ndërsa depozitat pa afat në lekë u rritën nga 57.8 miliardë lekë në janar në mbi 66.3 miliardë lekë në dhjetor, ndërsa ato në valutë mbetën mbi 129 miliardë lekë.

Në të dyja monedhat, pjesa dërrmuese e depozitave i përket sektorëve të tjerë rezidentë dhe korporatave jofinanciare, që përfshijnë familjet dhe bizneset private.

Vetëm në lekë, depozitat e këtyre sektorëve arritën mbi 275 miliardë lekë në dhjetor, ndërsa në valutë mbi 223 miliardë lekë.

Ky nivel i lartë kursimesh është edhe një tregues i rritjes së besimit të qytetarëve dhe bizneseve tek sistemi bankar.