Salla për sigurinë ushqimore: 90 akte nënligjore për miratim në kuadër të integrimit në BE
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla tha sot se standardet evropiane nuk duhet të shihen si pengesë, por si rrugë e përbashkët për të rritur tregun dhe cilësinë ushqimore.
Në aktivitetin e organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, ministri Salla tha se adresimi i rekomandimeve në raportin e Komisionit Evropian 2025 në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë, përbën një komponent thelbësor në ecurinë e Shqipërisë në Grupkapitullin 5, Kapitulli 12.
“Përmbushja e kritereve në këtë kapitull nuk kufizon vetëm përafrimin e legjislacionit, por kërkon ndërtimin dhe funksionimin efektiv të një sistemi kontrolli të barasvlershëm me BE-në ku siguria ushqimore lidhet me shëndetin e njeriut, me besimin e konsumatorit te produktet që konsumojnë dhe me sigurinë dhe prodhimi shqiptar të hyjë dhe të kontribuojë në tregun evropian”, tha Salla.
Salla tha se ka një fokus të veçantë në forcimin e kontrollit zyrtar që të jetë më i mirorganizuar në gjithë zinxhirin, nga ferma në tavolinë, në rritjen e kapaciteteve, më shumë përgjegjësi me terrenin, përmirësim të infrastrukturës mbështetëse me laboratorë dhe kontrollin kufitar, sepse pa to nuk ka siguri ushqimore reale.
Sipas Sallës, në fazën aktuale të negociatave me BE-në, sfidat mbeten në përafrimin e legjislacionit, për të cilin është përgatitur një plan veprimi i detajuar për gjithë afatet ligjore për Kapitullin 12.
“Për vitin 2026 për sigurinë ushqimore kemi parashikuar të miratojmë 90 akte nënligjore plus 5 akte zbatuese, ndërsa për veterinarinë 31 akte nënligjore deri në vitin 2027, për fitosanitarinë parashikohet miratimi i 10 akteve nënligjore për vitin 2026. Me mbështetjen e BE-së dhe Gjermanisë kemi nisur programin E4FoodSafity, që do të ndihmojë të përgatisë programin kombëtar për përmirësimin e standardeve të operatorëve ushqimorë që prodhojnë produkte shtazore dhe programin për qumështin e papërpunuar”, theksoi ai.
Ministri Salla shtoi se, njëherësh janë 20 milionë dollarë në dispozicion për të mbështetur ngritjen e shtatë pikave të inspektimit kufitar, pasi janë një element i rëndësishëm në procesin e kontrollit të import-eksporteve dhe integrimit në BE.

