Teliti: Fermerët të njihen me detyrimet dhe sfidat e integrimit në BE, laboratorë në të 12 drejtoritë rajonale

Ersida Teliti nga Qendra për Konsumatorë Shqiptarë tha sot se duhet një fushatë ndërgjegjësimi për fermerët dhe bizneset e lidhura me sigurinë ushqimore, mbi detyrimet dhe sfidat që lidhen me integrimin në Bashkimin Europian.

Teliti ishte e pranishme sot në Këshillin Kombëtar të Integrimit në Kuvend, ku u diskutua adresimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 në fushën e sigurisë ushqimore, në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Të pranishëm në aktivitet ishin ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, si dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile.

Teliti tha se 95% e shqiptarëve duan integrimin në BE, por mbi 75% nuk kanë besim te institucionet që garantojnë sigurinë ushqimore.

“Përafrimi i legjislacionit me BE, kërkon një nivel të lartë zbatueshmërie. Për këtë, ne rekomandojmë që të gjitha institucionet shqiptare të ruajnë memorien historike të inspektorëve të trajnuar dhe që për arsye të caktuara nuk duhet të largohen nga puna.

“AKU dhe reforma e inspektorëve janë çështje shumë sensitive. Në gjykimin tim, AKU dhe 12 drejtoritë rajonale duhet të jenë jashtë konceptit të reformës së inspektorateve. Duhet të fuqizohen laboratorët, jo vetëm ISUV-i, por edhe në të 12 drejtoritë rajonale. Sot, me reformën e njërit prej ministrave, ka vetëm 7 laboratorë; do të ishte mirë që pranë çdo drejtorie rajonale të kishte laboratorë.

“Zinxhiri nga ferma tek tavolina duhet të jetë i gjurmueshëm, nga momenti i inspektimit në pikat kufitare deri tek tryezat tona.

“Është shumë e nevojshme që të gjitha bizneset, qofshin fermerë të vegjël, të ndërgjegjësohen dhe të ndërmerret një fushatë mbi detyrimet dhe problematikat në kuadër të procesit të anëtarësimit. Kur të jemi shtet anëtar, do të jetë shumë vonë për të mbrojtur fermerët, veçanërisht ata të vegjël, nga falimentimi për shkak të mosplotësimit të standardeve – gjurmët dhe elementët e problemeve i ndjejmë edhe sot”, tha Teliti.