Vizita në Vatikan, Rama lutet në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë para takimit me Papën: Mbroje Shqipërinë dhe ndriço mendjet tona...
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga vizita e tij në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania në Vatikan.
“Mirëmengjes dhe me ndjesinë e veçantë të vizitës në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania, e në vigjilje të takimit me Atin e Shenjtë, ju uroj një ditë sa më të paqtë”, shkruan Rama.
Me ftesë nga Selia e Shenjtë, Kryeministri Rama do të pritet në audiencë nga Papa Leoni XIV.
Lutja e Kryeministrit Edi Rama në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania
O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë
e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut!
Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar.
Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë
besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit.
O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!
