VIDEO/ Manchester United mposht Fulham 3-2 dhe rikthehet në zonën Champions

Manchester United u rikthye në katërshen e parë të Premier League, duke zgjatur serinë pa humbje të trajnerit të përkohshëm Michael Carrick me një fitore dramatike 3-2 ndaj Fulham në “Old Trafford”.

United kryesoi me dy gola, por pa të barazohej në minutat e fundit, përpara se zëvendësuesi Benjamin Šeško të shënonte golin e fitores në kohën shtesë, duke siguruar një sukses në stil “Fergie”.

Casemiro hapi rezultatin me kokë në pjesën e parë, ndërsa Matheus Cunha dyfishoi pas pushimit me një realizim spektakolar, duke mbajtur gjallë shpresat e “Djajve të Kuq” për kualifikim në Champions League.

Fulham pati një gol të anuluar, pasi një kontroll i gjatë i VAR-it konstatoi pozicion jashtë loje të Samuel Chukwueze në ndërtimin e aksionit. Skuadra e Marco Silvës u rikthye në fund: Raul Jimenez ngushtoi shifrat nga pika e bardhë në minutën e 85-të, ndërsa Kevin barazoi me një goditje të fuqishme në minutën e parë të shtesës.

Megjithatë, United reagoi menjëherë dhe gjeti golin vendimtar, duke regjistruar tri fitore radhazi për herë të parë që nga tetori. Ndeshja u parapri nga një protestë e rreth 2 mijë tifozëve kundër pronarëve të klubit.