Johnny Depp shfaqet si Ebenezer Scrooge në filmin e ri të Dickens-it

Aktori Johnny Depp është rikthyer në një prodhim të madh hollywoodian, duke interpretuar personazhin e Ebenezer Scrooge në një adaptim të ri të romanit klasik të Charles Dickens,  “A Christmas Carol”.

Sipas pamjeve nga seti i xhirimit, Depp shfaqet i transformuar në rolin e anti-heroit të Dickens-it, një figurë e vetmuar që përballet me gabimet e së kaluarës përpara se të ndryshojë rrënjësisht.

Ky projekt shënon filmin e tij të parë me buxhet të madh pas katër vitesh, pas një periudhe larg produksioneve kryesore të studiove amerikane.

Në xhirime, Depp është parë i veshur me një pallto blu brokade, kapele të zezë dhe me favoritet gri, ndërsa ndodhej në shoqërinë e aktores Andrea Riseborough, e cila interpreton shpirtin e Krishtlindjes së shkuar. Riseborough shfaqet me një kostum të bardhë dhe elementë vizualë që theksojnë karakterin e saj fantazmagorik.

Produksioni përfshin një kast të njohur aktorësh, mes tyre Sir Ian McKellen, Daisy Ridley, Rupert Grint, Sam Claflin, Ellie Bamber dhe Tramell Tillman. Romani i Dickens-it, i botuar në vitin 1843, rrëfen historinë e Scrooge-it, një koprrac i moshuar që vizitohet nga shpirtra në prag të Krishtlindjes.

Filmi pritet të përballet me konkurrencë, pasi një tjetër adaptim i “A Christmas Carol” është në zhvillim nga Warner Bros, nën regjinë e Robert Eggers, me Willem Dafoe në rolin kryesor.

Depp ka deklaruar më herët se raportimet për jetën e tij gjatë viteve të fundit kanë qenë të pasakta dhe ka theksuar se ai nuk ka reshtur së punuari, pavarësisht mungesës në prodhimet kryesore të Hollywood-it.