“Socialistët s’kanë parë gjë akoma”/ Noka: Më 10 shkurt do të mbahet protestë super e fuqishme

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar sot lidhur me protestën e re që pritet të mbahet nga opozita.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Noka ka ndarë një video nga një protestë në Francë duke e paralelizuar me situatën ne vend.

Sipas demokratit, më datë 10 shkurt do të mbahet një protestë super e fuqishme dhe se socialistët s'kanë parë gjë akoma.

“Se këtu në Tiranë, moralistët që urrejnë çdo formë proteste, ata që promovojnë bindjen ndaj regjimeve, që u thonë të rinjve "ç'doni në shesh", pasi urrejnë çdo opozitë dhe opozitar ngaqë vetë duan partishtet, pikërisht ata vunë merak të madh për molotovin dhe fishekzjarret që u hodhën në drejtim të kryeministrisë. Prishej prona socialiste.

Mendoni një çast sikur këto pamje t'i përkasin protestës në Tiranë. Do kishin shpërthyer nga zemërimi veteranët e papërmbajtur të Sigurimit të Shtetit dhe ish brigadierët e magazinierët hajdutë të monizmit, e do kishin bërë namin.

Do na drejtonin gishtin e moralit e do të na quanin shkatërrues, lapanjozë, shpellarë, malokë, çeçenë e plot epitete që, në jo pak raste, na i shkruajnë nga divani i shtëpisë, ku të ndenjurat u kanë zënë kallo, në pritje që Edi Rama të nxjerrë në qarkullim ndonjë fyerje të re për opozitën, që ata ta përsërisin në kor parreshtur derisa të bëhet refren i jetës së tyre boshe.

Një kategori nostalgjikësh të uniformitetit dhe larjes një herë në javë, të ngecur në epokën e furnelave me vajguri dhe nevojtoreve alla turka.

Armiqtë e dikurshëm të përbetuar të imperializmit amerikan që tash s'lënë vit pa e aplikuar llotarinë amerikane. Kësaj kategorie që nuk vë gjumë në sy sa herë ne protestojmë, i them se në dt. 10 shkurt, në Tiranë do të mbahet një protestë super e fuqishme dhe që s'kanë parë gjë akoma”,-shkruan Noka.