"Kontribute dhe nga diaspora"/ Bodo: Dy përfaqësues jashtë Shqipërisë për Këshillin Rinor, interesi i të rinjve është shtuar
Drejtoreshë e Përgjithshme e AKR-së, Sara Bodo, e ftuar në emisionin “ALERT”, tha se po rritet interesi i të rinjve nga diaspora për të kontribuar në Shqipëri.
Ajo bëri të ditur se Këshilli Kombëtar Rinor ka dy përfaqësuese nga diaspora, një nga Kanadaja dhe një nga Anglia.
Sipas saj, të rinjtë jashtë vendit shfaqin dëshirë të madhe për të dhënë kontributin e tyre përmes eksperiencës, studimeve dhe rrjeteve ndërkombëtare që kanë ndërtuar.
Bodo tha se është diskutuar edhe me ministrin për zgjerimin e prioriteteve dhe thirrjeve të ardhshme, duke synuar që Këshilli Kombëtar Rinor të ketë një rol më aktiv në terren, më pranë të rinjve dhe në mbështetje të Këshillave Vendorë Rinorë në çdo bashki.
Ajo nënvizoi se Këshilli Kombëtar Rinor do të ketë një rol të zgjeruar, përtej atij të përcaktuar në VKM.
“Ka pasur interes nga Diaspora. Në fakt në Këshillin Kombëtar Rinor kemi dy përfaqësues nga diaspora. Një vajzë nga Kanadaja dhe një vajzë nga Anglia.
Në fakt sot pamë që kishin një dëshirë shumë të madhe për të qenë kontribuues edhe për potencialin që ata kanë jashtë.
Me kontaktet, me ato mënyrat që ata kanë jashtë, me çfarë kanë studiuar dhe për të kontribuar në Shqipëri.
Sot bëmë dhe një diskutim të gjatë me Ministrin, duke dhënë prioritete, duke dhënë prioritete dhe për thirrje që ne do të hapim. Jo vetëm duke u bazuar në ato rolin standard të Këshillit Kombëtar Rinor, por edhe duke e përdorur këtë Këshill për të ndikuar më shumë në terren. Për të qenë më afër të rinjve dhe për të mbështetur dhe Këshillin vendor Rinor që ne kemi në çdo bashki.
Kështu që unë e them publikisht, Këshilli Kombëtar Rinor do ketë një rol të zgjeruar përtej VKM-s, që e përcakton rolin e vet.”
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË:
