"Të plotësohet siguria ushqimore e BE-së"/ Rama në Divjakë: Fermerët të orientohen në shfrytëzimin e fondeve, Garancia Sovrane ofron 1 miliard euro mbështetje

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka vendosur në dispozicion të fermerëve Garancinë Sovrane e cila mund të shkojë deri në 1 miliard euro, por që nuk është shfrytëzuar sa duhet nga fermerët.

Në një takim me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, Rama u shpreh e së pari fermerët duhet të orientohen drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit.

“Jemi mësuar t’i referohemi buxhetit të shtetit, por buxheti i shtetit tanimë është vetëm njëri nga komponentët e zinxhirit të financimeve të bujqësisë dhe natyrisht që është më i thjeshti sepse përcaktohet nga qeveria dhe miratohet nga parlamenti”, tha ai.

Ndërkohë, Rama solli në vëmendje faktin se komponentët e tjerë janë pak më të vështirë por do të bëhen gjithmonë e më të pranishëm, ndaj të gjithë duhet të aftësohen për t’i shfrytëzuar.

“Sot në vendin tonë çështja e finacimit të projekteve dhe punëve të secilit nuk është problem në aspektin financiar, sepse paratë janë. Ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe mungesa e përgatitjes për t’i thithur ato para. E njëjta gjë vlen edhe për atë që lidhet me BE-në. Ne do kemi gjithmonë e më shumë fonde nga BE, por këto fonde lidhen drejtpërdrejtë me sa të aftë jemi ne që t’i thithim dhe sa të aftë dhe përgatitur janë sektorët dhe sipërmarrësit”, tha Rama.

Duke folur mbi Garancinë Sovrane, Rama tha se në dispozicion të bujqësisë janë vendosur 250 milionë euro që mund të shkojnë edhe 1 miliard euro, në rast se do të konsumohen, përmes Bankës së Shqipërisë në bankat e nivelit të dytë.

“Të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti dhe ku normat e interesit janë shumë më të ulëta se sa në bankat e nivelit të dytë. Kjo garanci është shfrytëzuar shumë pak”, tha Rama.

Ndaj ai kërkoi nga pushteti vendor që të jetë më shumë aktiv në bashkëpunimin me fermerët dhe bujqit për të adresuar këto financime.

“Nuk duhet të ketë asnjë problem në rast se duhet një komponent si agropërpunimi, grumbullimi, mekanikë apo logjistikë sepse financimi ekziston. Bashkitë dhe fermerët duhet të krijojnë nukle apo struktura të përbashkëta për të marrë këto financime. Shteti ka detyrë t’i qëndrojë pranë fshatit dhe këtij sektori dhe fermerëve më shumë se të tjerëve, pasi është një sektor që duhet të mbështetet për të funksionuar si duhet”, tha Rama, ndërsa ritheksoi nevojë e bashkimit të fermerëve.

SIGURIA USHQIMORE

Rama theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian kërkon që sot të fillojnë përgatitjet në sektorin e bujqësisë, për atë që do të ndodhë nesër.

Kreu i qeverisë nënvizoi se në rast se nuk plotësohen kriteret e sigurisë ushqimore të Bashkimit Evropian, ndalohet shitja e produkteve, pasi bëhesh pjesë e BE-së.

“Në rast se nuk plotësohen kriteret e sigurisë ushqimore të BE-së, ndalon shitja këtu, nuk shet dot as këtu, jo më të shesësh atje, sepse je pjesë tregut të BE-së. Natyrisht që kjo vjen pas një periudhë 15-vjeçare. Në rast se ne do ta na duhen edhe 5 vjet që të jemi pjesë e BE-së pra, në 2040 fillon kjo. Por 15 vite kalojnë shumë shpejt”, tha Rama.

Rama theksoi se fermerët që të kenë sukses në një treg më të gjerë duhet të informohen dhe të bëhen gati për të marrë më shumë financim përmes projekteve, si nga linja e kredisë sovrane të Bankës së Shqipërisë, ashtu edhe nga fondet e Bashkimit Evropian.

“Mua më vjen mirë që edhe nga këto dëgjesa, çfarë kemi ne në dorë si qeveri nga pikëpamja e buxhetit, mbështetjes edhe sa i përket infrastrukturës që ka të bëjë me ujitje, kullimin, mbrojtjen, ne do ta bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë duke i rritur financimet.  Por për të bërë financim dhe për t’u bërë shumë më tepër të suksesshëm në gjithë këtë territori dhe në Shqipëri dhe për ta pasur suksesin të shpërndarë në gjithë këtë numër të caktuar kompanish, duhet që secili të informohet dhe të behet gati për të marrë më shumë financim. Më shumë financim nuk vjen nga buxheti, por vjen nga instrumente të tjerë nga linja e kredisë e Bankës së Shqipërisë, vjen nga Banka e Zhvillimit, nga agrokrediti, nga fondet e BE-së, të gjitha këto duan projekte. Pa projekt thuaj çfarë të duash, duhet projekti, të tregosh ky është projekti këtë do të bëj unë dhe kështu do të nxjerr fitim”, tha Rama.

Ana tjetër, shtoi Rama, bashkitë duhet që me të gjithë ata që kanë interes për përpunim domatesh a përpunim frutash, të krijojnë ndërmarrjen përpunimit, ku bashkitë janë garantë të financimit për të marrë këto fonde.

Gjithashtu Rama foli edhe për ngritjen e ndërmarrjeve të vogla të agropërpunimit.

“Ngritja e ndërmarrje të voglave të agropërpunimit është një domosdoshmëri, është strategjike dhe duhet bërë tani për të krijuar vlerë të shtuar, për të mos patur asnjë problem në shitjen e prodhimit dhe për të qenë zot të çmimit në çdo kohë dhe për të imponuar tregun në çdo situatë”, tha Rama.