E PLOTË/ Schieder, mesazh politikës: Lini koktejet molotov, Shqipëria të tregohet vend i bashkuar

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, i ka dërguar një mesazh të qartë klasës politike shqiptare, duke kërkuar një ndryshim rrënjësor të kulturës politike dhe shmangien e akteve ekstreme si përdorimi i koktejeve molotov.

Gjatë një konference për mediat, eurodeputeti theksoi se ka ardhur koha që debati të zhvendoset nga dramatizimet dhe tensionet, te një përballje e fortë me argumente në arenën politike, aty ku i takon.

"Duhet që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara. Çfarë do të thotë kjo? Të mos dramatizohet gjithçka. Të mos fillohet me kokteje molotovi, por të luftohet fort me argumentime, me argumente të forta në skenën politike," deklaroi Schieder.

Ai shtoi se ky apel u drejtohet si opozitës, ashtu edhe qeverisë, duke kujtuar se mbi 90% e qytetarëve shqiptarë mbështesin integrimin evropian dhe presin një qasje të bashkuar nga përfaqësuesit e tyre.

Duke vlerësuar progresin e vendit, Schieder e cilësoi ecurinë e Shqipërisë në negociatat me BE-në si "madhore", duke parashikuar se së shpejti vendi do të nisë mbylljen e kapitujve. Sipas tij, Shqipëria do të vazhdojë të jetë "pararojë" në procesin e zgjerimit, por paralajmëroi se miratimi i ligjeve nuk duhet bërë thjesht për të kënaqur Brukselin.

"Ideja e legjislacionit është që ne duhet t'i afrohemi standardeve europiane në zbatim. Pas miratimit të ligjeve ka ende shumë punë për të bërë," tha ai.

Eurodeputeti vlerësoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj reformave, veçanërisht luftën kundër krimit të organizuar dhe procesin e rivlerësimit në drejtësi (vetingun), i cili sipas tij, ka sjellë një ndryshim pozitiv në perceptimin e publikut.

I pyetur për çështjen e nivelit të lartë të paraburgimit pa vendim gjyqësor, Schieder u shpreh se po e ndjek me vëmendje, duke e lidhur situatën edhe me vakancat e krijuara në sistemin e drejtësisë si pasojë e vetingut. Ndërsa përballë pyetjes provokuese nëse është më e rëndësishme "një demokraci me molotov apo një stabilokraci me korrupsion", ai refuzoi të zgjedhë anë, duke theksuar se debati duhet të zhvillohet në Kuvend, pasi demokracia shqiptare funksionon dhe ofron hapësirat e nevojshme për diskutim.

Në përfundim, Schieder theksoi rëndësinë e opinionit publik dhe bëri thirrje që arena politike, qeveria, opozita, shoqëria civile dhe media të punojnë së bashku për të komunikuar qartë rrugën evropiane të Shqipërisë.

KONFERENCA E PLOTË

Ligjet që kërkon integrimi, mazhoranca dhe në krye kryeministri Rama ka thënë që ne do të miratojmë pa i diskutuar, pasi duhet që të ecin përpara.  Pasi keni takuar palët, të paktën sipas perceptimit tuaj, kush nuk e do dialogun politik? Partia Socialiste apo Partia Demokratike? Dhe a jemi në kushte, për aq sa ju keni kuptuar nga politikanët, a jemi në kushte kur Shqipëria duhet të shkojë drejt një qeverie teknike?

Pyetje me vend, por sigurisht që unë mund të kem një mendim për shumë gjëra dhe mendoj që kjo është edhe një gjë që është e rëndësishme, që si politikan, ti ke mendimin tënd personal, mendimin tënd politik, ke vlerësimin, ke idetë e tua.

Por, duhet të përmbushësh gjithashtu edhe rolin tënd institucional. Unë nuk po qëndroj këtu thjesht si Andreas Schieder eurodeputet, me idetë e mia si eurodeputet për zhvillimet politike në Shqipëri, apo për sjelljen e deputetëve të caktuar.

Unë qëndroj këtu si relatori apo raportuesi në Parlamentin Europian nga Komisioni, pra, parlamentar për çështjet e jashtme. Pra, këtu nuk është çështja për mendimin tim personal, por mund të formulohet në një kuptim më të gjerë dhe ky kuptim më i gjerë është ky: që ne si Parlament Europian, dhe e kemi vendosur këtë gjë dhe në raportet e mëparshme, që ne mendojmë që ka ardhur koha tashmë që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara.

Çfarë do të thotë kjo? Të mos dramatizohet gjithçka. Të mos fillohet me kokteje molotovi e të tjerë e të tjerë, por të luftohet fort me argumentime, me argumente të forta në skenën politike aty ku duhet. Pra, kjo vlen edhe për opozitën, edhe për qeverinë dhe besoj që, domethënë siç e dimë, mbi 90% e qytetarëve shqiptarë duan integrimin europian. Dhe mendoj që kjo është gjëja më e mirë që mund t'i tregojë Shqipëria Evropës, që është një vend i bashkuar dhe ka një qasje të bashkuar. Dhe unë mendoj që bashkëpunimi brenda Kuvendit për disa çështje po ecën goxha mirë. Për shembull, mësova këtë kohët e fundit edhe që ka unanimitet për disa çështje të politikës së jashtme dhe do të uroja shumë dhe do të doja shumë që edhe çështje të tilla europiane të sjellin edhe ndryshimin e kulturës edhe në çështje të tjera.

Pra, përmirësimi i kulturës politike është njëra gjë. Çështja tjetër është kjo: që Shqipëria ka bërë dhe ka patur një ecuri madhore në negociata. Dhe në konferencën ndërqeveritare, por edhe në qoftë se vlerësimi i Komisionit do të ecë mirë në pranverë, Shqipëria do të fillojë të mbyllë kapituj. Dhe siç e ka thënë edhe Komisionerja për Zgjerimin, Shqipëria do të vazhdojë të jetë pararojë për zgjerimin.

Por duhet të themi që këtu nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e kapitujve apo vetëm për, është puna edhe tek mbyllja. Dhe për mbylljen, nuk është çështja vetëm tek miratimi i legjislacionit, sepse ideja e ligjit nuk është që, ja ne tani e kënaqim Bashkimin Europian duke miratuar këtë apo atë ligj. Jo.

Ideja e legjislacionit dhe miratimit të tij është që ne duhet ta miratojmë sepse duhet t'i afrohemi standardeve europiane në zbatim dhe duhet të kemi një harmonizim më të mirë ndërmjet standardeve në Shqipëri dhe atyre në BE.

Kjo do të thotë që edhe pra pas miratimit të legjislacionit ka shumë punë për të bërë. Dhe kjo më duket goxha mirë, shumë mirë. Pse? Sepse Shqipëria ka vendosur që të jetë tejet e ndërgjegjshme dhe t'i përkushtohet reformave, reformave sidomos për luftën kundër krimit të organizuar, që përpara 10 vitesh Shqipëria ka ndërmarrë hapin e paprecedent pra që të bënte rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe kjo ka sjellë edhe ndryshimin e perceptimit të publikut dhe ndryshimin e opinionit publik.

Dhe gjëja e fundit që dëshiroj të them është që nuk duhet të nënçmuar asnjëherë mendimi i, apo perceptimi i publikut. Pra, do të tregon që ti duhet të vazhdosh me reformat, nuk duhet as të ngecësh në vend, as të bësh hapa pas. Sepse ideja nuk është vetëm për të bindur Komisionin Europian, apo Parlamentin Europian, apo kryeministra të tjerë, por të bindësh publikun.

Dhe unë dua që zgjerimi të bëhet realitet dhe dua ta shoh këtë realitet, të bëhet konkret dhe do të bëj të pamundur që të bind opinionin publik kudo, por që këtu, arena politike, qeveria, opozita, shoqëria civile, gazetarët, pra dhe ju, media, të gjithë duhet të bëni të pamundurën që të ketë një komunikim të duhur për mënyrën dhe ku është Shqipëria tani dhe ku do të arrijë në të ardhmen. Faleminderit.

Një pyetje sa i takon masave të sigurisë, të arrestit me burg. Ka pasur pretendime nga aktorë të ndryshëm në vend, të cilët pretendojnë se niveli i personave të cilët qëndrojnë në qeli pa një vendim gjyqësor të formës së prerë, është shumë më i lartë krahasuar me standartin e Bashkimit Europian. Ju çfarë qëndrimi keni për këtë çështje?

Së pari, unë po e shihja këtë çështje me vëmendje dhe e shoh që ka qëndrime të ndryshme në shtete të ndryshme anëtare, sepse kjo nuk është një çështje apo një standard i BE-së vetëm, por modele të ndryshme në shtete të ndryshme anëtare. Kjo është një çështje e cila duhet të trajtohet, duhet të diskutohet. Që do të thotë që ne e kemi vënë dhe në axhendën tonë në diskutimet e institucioneve, po kjo ka të bëjë edhe me, me të themi edhe me edukimin e magjistratëve, natyrisht edhe me vakancat që ka sjellë procesi i rivlerësimit, një, një proces i cili ka qenë shumë i thellë dhe është dashur që vakancat të plotësohen me magjistratë dhe një proces që po vazhdon, kështu që sa më shpejt që të ndodhë, aq më mirë do të jetë.

Isa Myzyraj nga Ora News. Ju pak më herët e përmendët molotovin që është përdorur në protesta e opozitës. Pyetja ime është shumë e drejtpërdrejtë. Për Parlamentin Europian, për juve si raportues, më e rëndësishme është një demokraci me molotov apo një stabilokraci me kupolën e qeverisë të akuzuar për korrupsion?

Së pari, personi që, dhe kjo është që do të thotë pra që duhet të jemi të ndërgjegjshëm edhe për perceptimin që ju prodhoni nga media edhe në mendjet e qytetarëve europianë. Pra, unë e di që shqiptarët dhe demokracia po funksionon, funksionon mirë, që ka debat në Kuvend, që ka debate edhe deri në orën 4 të mëngjesit, siç ka qenë rasti në Kuvend, që ka hapësirë për opozitën, për deputetët e opozitës dhe të mazhorancës të diskutojnë këto çështje.

Z. Berisha ka denoncuar se Shqipëria ka eksportuar te vendet armike ose te grupet armike të NATO-s informacione të NATO-s që i disponon edhe Shqipëria. Në këtë këndvështrim, a është parë si shqetësim nga, nga Bashkimi Europian, nga ju kjo çështje, ky denoncim?

Jo. Jo. Së pari, përgjigja e shkurtër është jo. Së dyti, ju lutem, mos më bëni pyetje për gjithçka që thotë Berisha dhe që unë të bëj komente për gjithçka që thotë ai, sepse edhe unë pastaj do më duhet të dal nga roli im institucional.