AKU sfidon Kryeministrin dhe bëhet “avokat” i subjekteve private. Vendimet e Komisionerit “letra pa vlerë”

Televizioni “Ora News” bëri publik faktin se qytetarët shqiptarë kanë konsumuar 2742 pako makarona të kontaminuara me insekte.

Sipas burimeve zyrtare, te makaronat “Tortiglioni Barreti 500 gr”, të importuara nga Greqia është konstatuar prania e insekteve Miellngrënësi i Surinamës dhe Kalandra e grurit.

Edhe pse inspektorët e AKU-t kishin bllokuar 1038 pako makarona ende të pa shitura në supermarkete, në njoftimin zyrtar mungonte foto e produktit të bllokuar.

Teksa televizioni “Ora News” i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur AKU-t informacion  për emrin e subjektit që importoi makaronat me insekte, ky institucion refuzon të bëjë  transparencë me median dhe qytatarët, me argumentin se “publikimi i të dhënave të kërkuara mund të sjelle interpretime të gabuara që çojnë në perceptime të padrejta ndaj subjektit”.

AKU në shkelje të ligjit refuzon të informojë qytetarët duke u shqetësuar më shumë për imazhin e subjekteve, se sa për faktin që të rritur dhe fëmijë kanë konsumuar makarona me insekte. Ky institucion vendos të bëhet “avokat” i subjekteve  private.

Pas dy ankesave nga televizioni “Ora Neës”, Komisioneri për të Drejtën e Informimit urdhëron AKU-n që t’i vendosë në dispozicion televizionit “Ora News” emrin e subjektit importues brenda datës 2.12. 2025.

Pasi AKU refuzon ta japë këtë informacion me anë të një  vendimi të dytë urdhërohet që brenda datës 31.12.2025 , televizioni “Ora News” të informohet për emrin e subjektit .

AKU vijon të sfidojë ligjin duke mos i vendosur në dispozicion medias dhe qytetarëve  informacionin e kërkuar.

Në këto kushte, vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit nga ky institucion janë konsideruar “letra pa vlerë”.

Drejtuesit e AKU-t guxojnë edhe më shumë, sepse vendosin të sfidojnë edhe kryeministrin Rama, i cili ishte i prerë kur tha se brenda 10 ditësh institucionet duhet t’i kthejnë përgjigje jo vetëm medias, por çdo qytetari.

Nëse ligji, vendimet e Komisionerit dhe deklaratat e Kryeministrit injorohen pa asnjë pasojë, atëherë problemi nuk është vetëm te makaronat me insekte, por te një institucion që ka humbur plotësisht funksionin e tij publik.