Manipulimi i zgjedhjeve në Kosovë/ Demaku: Pasi të mbarojnë hetimet, do i jepet fund kësaj skeme
Manipulimi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë, ka ngritur një diskutim të gjerë në opinionin publik në Kosovë.
I ftuar në hapsirën "Për Shqiptarët" në televizionin "Ora News" opinionisti Armend Demaku u shpreh se në momentin që organet e drejtësisë marrin vendimin pas hetimeve, manipulimi i zgjedhjeve do të marrë fund.
“Këto manipulimet e individëve të caktuar, Komisionerëve të caktuar për votat e deputetëve, natyrisht që në një masë të madhe e kanë lënduar procesin zgjedhor.
Si i tillë, që po i nxjerr në pah numërimit shumë parregullsi, të cilat e kanë shoqëruar procesin e votimit.
Kjo përbën një lloj manipulimi midis individëve të caktuar dhe partive të caktuara.
Nëse organet e drejtësisë marrin vendimet e tyre pas hulumtimeve, do të ketë një anë të mirë sepse do i jepet fund manipulimit të zgjedhjeve.”- tha Demaku.
“KURTI PËRDORI DIASPORËN DHE PO BLLOKON SHTETIN PËR TË KRIJUAR KRIZA”
Në një analizë të situatës politike pas zgjedhore në Kosovë, opinionisti Armend Demaku ka hedhur akuza të rënda ndaj Albin Kurtit, duke pretenduar se ai ka manipuluar procesin zgjedhor dhe po zvarrit qëllimisht formimin e institucioneve të reja.
Sipas tij, kjo strategji ka për qëllim krijimin e krizave të vazhdueshme dhe bllokimin e funksionimit të shtetit.
Armend Demaku: “Ka qenë gjithçka në rregull, në kuptimin e votimit, është pranuar rezultati zgjedhor edhe nga opozita, pavarësisht, domethënë, qasjes së zotit Kurti, i cili natyrisht që mendoj që e ka blerë votën, e ka shfrytëzuar diasporën dhe unë edhe këtë e konsideroj manipulim në kuptimin e joshjes për blerjet e votës dhe moszgjidhjen e problemeve qytetare, sepse qytetarët nuk kanë nevojë që të përdoren si pre e njerëzve që kanë nevojë për, ta zëmë, për 100 euro dhe pastaj të harrohen katër vite, mos të merret kush me ta. Pra, zoti Kurti e ka bërë këtë gjë dhe këtë duhet përmendur.
Unë mendoj që zotit Kurti i intereson zvarritja, për arsye se është vështirë të thuash këtë gjë në kohën e demokracisë, por prej kohës kur ai është futur në politikë dhe i ka fituar zgjedhjet, gjithmonë e ka zvarritur formimin e qeverisë dhe është interes i tij. Dhe natyrisht që ky edhe ky manipulim zgjedhor...
Kjo për arsyen se ky (Kurti) është një person i cili në opozitë ka funksionuar në kriza, ndërsa në pushtet po ashtu gjithmonë ka krijuar kriza. Zotit Kurti i leverdis kauza e tij për bllokim të shtetit të Republikës së Kosovës. Kjo duket pak paradoksale, mirëpo arsyet është mirë të na i tregojë ai, mirëpo ka opsione shumë...
Në këndvështrimin tim, unë mendoj që qasja e tij politike, mendësia e tij politike ka qenë kryeneçe dhe izoluese në raport me, me partitë e mëhershme.
Nuk po themi që partitë e tjera kanë qenë shumë kryesisht idealiste në kuptimin e politikbërjes dhe qeveria, qeveritë e mëparshme nuk kanë pasur defekte. Mirëpo Kosova të paktën nuk ka qenë një vend i izoluar dhe nuk ka qenë një vend zvarritës.
Ne kemi qenë shembull si për debatet politike, si për bashkëpunim pozitë-opozitë e kështu me radhë. Prej momentit kur zoti Kurti është në qeveri e ka polarizuar shoqërinë edhe më tutje, sepse me polarizim ka ardhur.
Dhe vazhdon ta bllokojë. E kemi rastin kur në herën e parë në vitin 2019 ka dalë i pari, prapë e ka zvarritur procesin për pesë-gjashtë muaj derisa u formua qeveria me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pastaj kur i ka fituar zgjedhjet me 14 shkurt, po ashtu ka krijuar zvarritje, ka krijuar vitin e parë domethënë më shumë është marrë me akuza, me defekte, gjëra që kanë ndodhur në të kaluarën. Pastaj ndodhi procesi i mars-shkurtit e vitit 2025, përsëri ka pasur zvarritje, dihet deri te bllokada që u krijuar, që kryekëput natyrisht është i faturuar...”
“OPOZITË ANEMIKE”
Në analizën e skenës politike në Kosovë, Armend Demaku flet për një opozitë të dobët dhe një qasje moralizuese nga pushteti, duke lënë qytetarin në qendër të një debati që shpesh harron interesin e tij parësor.
Në këtë kontekst, ai ka zbërthyer dinamikat aktuale, duke kritikuar si opozitën për mungesë alternative, ashtu edhe palët e tjera për taktika akuzuese.
Kritika kryesore drejtohet ndaj opozitës, e cila përshkruhet si me "papjekuri opozitariste" dhe "anemike" në raport me politikën e qeverisë Kurti.
Sipas tij, ky defekt bën që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të mos e shohin atë si një alternativë të besueshme, duke e lënë peizazhin politik pa një kundërpeshë të fortë.
Armend Demaku: “Në anën tjetër e kemi një opozitë e cila ka papjekuri opozitariste dhe e cila, domethënë është anemike në raport me politikën që bën zoti Kurti. Ajo është defekt tjetër dhe qytetarët, një pjesë e qytetarëve nuk i shohin si alternativë.
Unë po përpiqem të jap një analizë e cila mendoj që është në interes të qytetarit të Republikës, sepse në fund të fundit unë jam taksapagues, para se të jem analist, para se të jem, domethënë para se të jem edhe profesionist në punën që unë e bëj.
Mirëpo, këto janë shqetësime të cilat e atakojnë direkt qytetarin. Dhe unë po flas gjithmonë për atë çka e prek qytetarin. Së fundja e fundit qeveritë respektive, si në Kosovë, si në Shqipëri, po si kudo qoftë, ato zgjidhen për të shërbyer qytetarët, pra është një shërbim, është një, një shërbim i cili duhet t'i jepet qytetarit të Republikës së Kosovës me ndershmëri. Dhe gjatë këtij shërbimi natyrisht që mund të ketë dhe gabime, sikurse edhe ne që bëjmë gabime gjatë punës sonë, mirëpo jo gabime dhe defekte duke moralizuar. Unë mua nuk më pëlqen asnjëherë kur njerëzit tentojnë që duke ngritur piedestalet e moralit të akuzojnë të tjerët. Kjo nuk funksionon dhe nuk është në rregull, sepse fundja e fundit askush nuk e ka në dorë të drejtën për të gjykuar ose për të moralizuar”.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ARMEND DEMAKUN
